KE ngel Shqipërinë, Berisha: Ja arritjet tona

13/10/2011 00:00

Kryeministri Sali Berisha, pikërisht një ditë pasi Komisioni Evropian
dha rezultat negativ për Shqipërinë në procesin e integrimit, zgjodhi të
fliste për arritjet, qe sipas tij ka bere qeveria, duke
përmendur rritjen e pagave e pensioneve, rritjen e nivelit në arsim,
rritjen e investimeve…

“Ne do të ndërtojmë Shqipërinë e prodhimit. Ne kemi shenuar tre herë më shumë eksporte në gjashtë vite. Se kemi ndjekur këto standarde kemi patur rritje të pagave”, tha Berisha, ndërkohë që gjatë fjalës së tij është shoqëruar nga reagime të vazhdueshmë të deputetëve të opozitës.

Pikërisht ndaj këtyre të fundit, Berisha ngriti gishtin e akuzës, se ata kanë qenë kundër ligjeve të rëndësishme me qëllim uljen e nivelit të jetesës së shqiptarëve dhe izolimin e qytetarëve të vendit.

Berisha nga foltorja e parlamentit ftoi opoziten qe te punoje konsensualisht per reformen zgjedhore, si dhe garantoi se propozimet e opozites, pasi te jete marre edhe ‘ok’ i Komisionit te Venecias apo ODIHR-it, do te votohen ne parlament.

“Jemi gati te shohim edhe rregulloren e parlamentit. Ejani të marrim edhe rregulloren e Parlamentit Evropian dhe të krahasojmë standardet. Ju doni të bëheni zëdhënës të presidentit? Bëhuni! Mos harroni se ne jemi shumica sovrane e popullit shqiptar”, tha Berisha.
 

Ruci: Humbi kredibiliteti i vendit

Kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci deklaron se Europa refuzoi të na jepte statusin kandidat për në Union, pasi Shqipëria nuk ka realizuar asnjë nga 12 rekomandimet, ndërsa e konsideroi paradoksale faktin që sot fajësohet dhe bëhet përgjegjëse opozita.

“Zoti kryeministër në ikje, ju duhet të jepni llogari për humbjen, shkatërrimin në sytë e mbarë botës te kredibilitetit te vendit. Do t’i duhet kohë Shqipërisë dhe shqiptarëve që këtë perceptim të gabuar ta riparojne.Nga refuzimi ka një faturë dhe kjo është financiare”, tha Ruci.

Kreu i grupit ripërsëriti ofertën për dialog dhe bisedime. “Kërkoj që në një seancë të posacme të bëhet një mocion me debat për raportin e KE-së, ku klasa politike shqiptare të japë sqarime”, tha Ruci.

 

Top Channel