Ligji i mbetjeve, ndesh me BB

09/10/2011 19:55

Ligji i menaxhimit të mbetjeve i cili u kalua pak ditë më parë në parlament, duhet të ishte i mbështetur tërësisht mbi strategjinë për menaxhimin e mbetjeve për të cilin kanë punuar gjatë ekpertët e komisionit të komunitetit europian dhe ata shqiptarë.

Ky raport i cili është marrë me identifikimin e problemeve të mjedisit, por edhe me zgjidhjen e tyre konkrete, e vë theksin në tre pika të rëndësishme, tek mbetjet e ngurta, rehabilitimi i zonave të nxehta ose “hot spoteve” si dhe në përmirësimin e teknologjik të industrive shtetërore.

Një pjesë e këtyre investimeve sipas strategjisë duhet të realizoheshin përmes fondit të mjedisit i cili do të kërkonte ndryshime të rëndësishme buxhetore dhe një ndarje të përgjegjësisë ndërmjet disa ministrive.  

Kjo strategji e vë theksin në reduktimin e ndërtimit të landfilleve të reja dhe në zbatimin dhe detyrimin e hierakisë së menaxhimit të mbetjeve.  

Ajo cka sugjeron strategjia është që të lihet mënjanë koncepti 1 bashki – 1 landfill dhe të shkohet drejt konceptit për të pasur të paktën 1 landfill për rajon. Duke ndjekur kete koncept, do të nevojiten 12 landfille për 12 qarqe, kështu që numri i landfilleve do të ulet deri në 5 herë.

Një problem i madh për vendin tonë është dhe grumbullimi dhe depozitimi i mbetjeve industriale e cila sipas ekpertëve është përgjegjësi e prodhuesit. Në vendin tonë ka të paktën 170 mijë ton mbetje industriale në vit, një pjesë e të cilave konstatohen si të rrezikshme.

Gjeneruesit kryesorë të mbetjeve industriale kanë qenë industritë kimike, metalurgjike, minerare, vajore, ushqimore, etj. Nga aspekti fiziko – kimik, toksikologjik dhe eko-toksikologjik një pjesë janë identifikuar klasifikuar si shumë toksik, irritues, si mbetje kancerogjene.

Nuk dihet sesa është sasia e mbetjeve industriale dhe ku ato asgjësohen, por është konstatuar se ato hidhen në vendet e mbetjeve komunale, disa mbahen në vendin e prodhimit, por një pjesë hidhen në vende të paautorizuara.

Nga sasia e përgjithshme e kimikateve të industrisë kimike, 40 ton (3% e sasisë totale) janë kimikate shumë helmuese, 110 ton (7%) janë jashtëzakonisht të ndezshëm dhe ndezëse, 575 ton (38%) kanë
karakteristika helmuese, nga të cilat mund të ndajmë veçantë arsenikun, mërkurin dhe disa substanca të tjera organike.

Top Channel