Trojka: Pakti, pikënisje për dialog

05/10/2011 00:00

Ambasadorët e SHBA, OSBE dhe ai i BE kanë mbështetur paktin e ofruar nga opozita si një pikënisje për një dialog konstruktiv me qeverinë.

Pas një takimi në selinë rozë me kryetarin e PS Edi Rama, takim që ka zgjatur për më shumë se 2 orë, tre ambasadorët Arvizu, Sequi dhe Wollfarth kanë dhënë qëndrime të njëjta në raport me këto propozime.

Sipas tyre, ky është një hap i rëndësishëm që mund të cojë në zgjidhjen e krizës politike.

“Ky proces duhet të ecë përpara, janë bërë ndërkohë propozime të rëndësishme. Zoti Rama na dha informacion shtesë lidhur me propozimet e tij. Është një listë e hapur filluar me mënyrën e operimit dhe funksionimit të Parlamentit, Kodin Zgjedhor në të ardhmen dhe cështje të tjera. Një nga pikat e rëndësishme është që bëhet fjalë për një listë të hapur dhe që ka propozim për të patur dialog me qeverinë. Pra, propozimi për të pasur bisedime me shumicën është mjaft i rëndësishëm dhe duhet marrë parasysh nga të gjitha palët e interesuara”, theksoi Wollfarth.

“Sigurisht, nëse kjo merret parasysh në kohën e duhur, deri pranverën e ardhshme duhet të sjellë rezultatet e veta. Ne jemi këtu për të mbështetur palët e ndryshme për t’i ndihmuar që të ecin përpara. OSBE mbetet e gatshme për të identifikuar pikat e përbashkëta, rrugën që do të bëhet për progres dhe sidomos për integrimin e vendit në Bashkimin Europian”, vijoi ai.

Duke zgjedhur jo pa qëllim gjuhen shqipe, ambasadori Sequi dha një mesazh të qartë për të dyja palët, duke marrë si pikënisje hapin e parë të hedhur nga socialistët. “Gur, gur bëhet mur”, tha ai.

Qëndrim të njëjtë ka patur edhe ambasadori Arvizu, i cili premtoi mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara në procesin e integrimit të vendit.

“Mbështes kolegët e mi. SHBA mbështesin me gjithë zemër rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ne do ta mbështesim këtë”, nënvizoi Arvizu.

Tre ambasadorët kanë shmangur përgjigjen për mundësinë e nje takimi me kryeministrin, i cili të paktën në daljet e para ka kundërshtuar paktin e ofruar nga opozita. Mbetet për t’u parë se cdo të ndodhë në ditët në vijim, kur një takim i tillë duket thuajse i pashmangshëm.

Top Channel