Përmbytjet 2010, qeveria shkurtoi fondet

05/10/2011 08:00

Rishikimi i buxhetit të shtetit në mes të vitit 2010, si pasojë e planifikimit të dobët, solli shkurtimin e fondeve të domosdoshme për infrastrukturën e kullimit e vaditjes dhe mund të ketë pasur rol në përmasat e përmbytjeve në zonën e Shkodrës në janar të këtij viti.

Sipas lajmit të botuar ditën e sotme në gazetën “Shqip”, diçka e tillë është bërë e ditur nga relacioni shoqërues për buxhetin faktit të vitit 2010, i cili po diskutohet aktualisht në Kuvend.

”Me buxhetin e rishikuar për vitin 2010 në infrastrukturën e kullimit, ujitjes dhe mbrojtjes nga përmbytja, janë akorduar 603 milionë lekë investime dhe kjo për objektet
e kullimit, mbrojtjes nga përmbytja, ujitje dhe mirëmbajtje argjinaturash e rehabilitime digash të rezervuarëve në 12 borde kullimi.

Duhet thënë se një nga projektet kryesore, “Rehabilitimi i argjinaturës së Çasit, Shkodër, prej 50 milionë lekësh, nuk u realizua”, thuhet në relacionin e buxhetit faktik për vitin 2010.

Argjinatura e Çasit pranë Velipojës ka edhe një stacion pompimi që po rehabilitohet në fakt këtë vit me fonde të Bankës Botërore. Rajoni i Shkodrës u godit nga përmbytjet me përmasa katastrofike në fillim të këtij viti.

Mijëra shtëpi dhe biznese u përmbytën nga ujërat, gjë që shkaktoi miliona euro dëme.
Qeveria pati programuar 1.7 miliardë lekë investime (rreth 13 milionë euro) për programin e menaxhimit të infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes për vitin 2010.

Por në korrik 2010, pasi u pa se ekonomia po ecte më keq nga pritshmëritë, qeveria miratoi një buxhet të rishikuar, ku investimet për infrastrukturën e
kullimit dhe ujitjes u reduktuan në 647 milionë lekë (rreth
4.8 milionë euro).

Nga këto, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e pa të arsyeshme të shpenzonte vetëm 77 për qind të planit, duke i bërë investimet tërësisht
të pamjaftueshme për të shmangur përmbytjet.

Zona e Nënshkodrës u përmbyt në janar 2010 dhe në janar 2011 dhe problemet e
nevojat për investime ishin të qarta, por përmbytjet, të cilat i kushtojnë buxhetit të shtetit shumë herë më tepër se sa investimet e mirëmbajtjes së infrastrukturës së kullimit,
duket se nuk qenë të mjaftueshme për t’i dhënë prioritet këtyre investimeve.

Nuk është e qartë se në çfarë përmasash mungesa e investimeve ka shkaktuar përmbytje apo rëndim të situatës së përmbytjeve, por është e qartë se e njëjta situatë po përsëritet edhe këtë vit.

Të dhënat e detajuara të buxhetit të rishikuar të qeverisë, të cilat u publikuan së fundmi, vënë në dukje se shpenzimet për kullim e vaditje ishin planifikuar në masën 3.76 miliardë lekë (rreth 27 milionë euro) në fillim të vitit, por u shkurtuan në 2.67 miliardë lekë ose 40 për qind më pak.

Për më tepër, në gjashtëmujorin e parë, Ministria e Bujqësisë ka realizuar vetëm
3 për qind të planit të shpenzimeve kapitale vjetore në ujitje e kullim dhe ka premtuar se do të realizojë investimet në tre muajt që mbeten para fillimit të shirave të tetorit.

Top Channel