Endri Xhafo – Mundësitë e rizgjedhjes si President, reagimi i Kryeministrit dhe pse i prish punë Aleanca Kuq e Zi.

Uf, më në fund Presidenti foli! Ky ishte mendimi i parë çlirues që të vinte në mend pas intervistës së tij të fundit në “Top Story”. Ai foli jo me “heshtje”, siç është bërë proverbiale të thuhet, por me fjalë, me pohime konkrete. Në katër vjet “heshtja” e tij frustroi shumë vetë, që prisnin prej tij një Presidencë më dinamike. Por kjo “Presidencë dinamike”, për vetë specifikat e Shqipërisë, të Partisë Demokratike dhe të mënyrës se si u zgjodh President Bamir Topi, do të ishte, në rastin më të mirë, ekuivalente me një alternativë të parakohshme ndaj Kryeministrit Sali Berisha dhe, në rastin më të keq, një shenjë e hapur mosmirënjohjeje ndaj partisë ku militoi kaq kohë. Një “presidencë më e fortë” do të ishte, në këto kushte, shprehja e një ambicieje politike në vendin dhe në kohën e gabuar. Ndaj, të paktën për pragmatizëm, duhet besuar se Bamir Topi as nuk e luftoi Sali Berishën, dhe aq më pak bëri aleanca me Edi Ramën (“çdo takim me të, – tha Bamir Topi, – është njoftuar nga zyra ime e shtypit”).

Presidenca e Bamir Topit ishte, më së paku, “korrekte”. Presidenti u tregua “luajal” me qeverinë e vendit të tij, kur, në takime me të huajt, brenda apo jashtë vendit, përcolli ambicien e shqiptarëve për një lëvizje pa viza dhe për integrimin europian, gjë që në njëfarë mase gjeti shprehje edhe në reformat e qeverisë. Po ashtu, në kuadër të këtij luajaliteti, që më shumë se luajalitet ndaj qeverisë ishte besnikëri ndaj postit që mbante dhe ndaj parimeve te të cilat besonte, Presidenti më se njëherë ka bërë thirrje që dialogu politik të bëhet në Parlament. Duke iu kundërvënë në këtë mënyrë haptas, politikës së bojkotit të Edi Ramës.

Nga ana tjetër, Presidenti ka dalë hapur kundër ndryshimeve kushtetuese (“Top Story” risolli në kujtesë një intervistë të 15 prillit 2008), duke iu bashkuar në atë kohë zërit të LSI-së dhe të partive të tjera të vogla. Por, kur këto ndryshime morën një shumicë dërrmuese në Parlament më 21 prill, ai i dekretoi brenda 24 orëve, gjithmonë në kuadër të luajalitetit ndaj Parlamentit.

Sigurisht, Bamir Topi ka kthyer mbrapsht mjaft ligje të mazhorancës, apo ka shprehur mospëlqimin e tij për ligje të caktuara, pa i dekretuar ato. Kësisoj, ai ka folur me “heshtje” në rastin e ligjit të lustracionit, apo të ligjit për procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar.

Mirëpo vitin e fundit të mandatit, në sy të shumëkujt, “heshtja” iu kthye në bumerang, u interpretua si “pafuqi”; kaq e fortë është te disa dëshira për të parë një alternativë tjetër brenda të djathtës, të ndryshme nga ajo e Kryeministrit të plotfuqishëm, Sali Berisha. Por, siç edhe ndodhi, ditën kur Presidenti vendosi t’u përgjigjej akuzave për “puç” shtetëror, “horr bulevardi” etj., atë ditë Bamir Topi u pozicionua hapur. Vetëm se tani, jemi në fund të mandatit të tij presidencial.

Vetë Presidenti pohoi në “Top Story” se i mbeten dy opsione: ose qëndron në Presidencë, – sepse, siç tha ai, “loja është e hapur”, apo “kurrë mos thuaj kurrë”, – ose krijon një parti të djathtë, që merr pjesë në zgjedhjet e 2013-s. Në çdo rast, parë nga këndvështrimi i Sali Berishës, Bamir Topi përbën tanimë një problem për të.

Nëse Sali Berisha, me një kinse rrjedhje “të pakontrolluar” votash, e lë Bamir Topin në Presidencë, për të mos e pasur “nëpër këmbë” në zgjedhjet e 2013-s, kjo ka anën tjetër të medaljes: Bamir Topi do të bëhej kështu i pari President i Shqipërisë postkomuniste që do të ushtronte të plotë të dy mandatet kushtetuese në krye të shtetit (Sali Berisha dha dorëheqjen si President në korrik 1997, pas më pak se katër muajsh nga rizgjedhja e tij për një mandat të dytë). Mirëpo, një mandat i dytë presidencial për Bamir Topin do t’i jepte atij një prestigj më të madh politik, jo vetëm për shkak të rizgjedhjes, por sidomos sepse do ta çlironte Bamir Topin nga ngërçi i mandatit të parë. Madje, do të ishte imperative për të, që të ndërtonte në krye të Presidencës figurën e “vendosur” të një politikani që mund të qeverisë nesër vendin. Por kjo ka pas gjasa të ndodhë me dëshirë, sepse Sali Berisha, sado kalkulues i mirë që të jetë, vështirë t’i japë dikujt “bekimin” për diçka që nuk e arriti dot vetë. Kjo nuk është më politike, por psikike!

Mbetet Presidenca “pa dëshirë”, pasojë e lëvizjeve të brendshme brenda Parlamentit, ku vetë Bamir Topi tha se ka “plot miq”. Përllogaritja, kësaj here nga këndvështrimi i tij, e bën absolutisht më të leverdishëm një mandat të dytë, sepse eviton përballjen frontale me Sali Berishën. Koha punon kundër Kryeministrit, për shkak të moshës së tij dhe të konsumimit nga pushteti. Nëse Sali Berisha, në zgjedhjet e vitit 2013, përfiton edhe njëherë nga avantazhet e sistemit zgjedhor dhe nga aleanca kundër natyre me LSI-në, dhe qëndron në pushtet edhe për një mandat të tretë qeverisës (që do të ishte në fakt i dyti i fituar me sistemin proporcional rajonal), është pothuajse e sigurt se konsumimi nga pushteti do ta nxjerrë atë në opozitë në vitin 2017, në moshën 73-vjeçare. Pas katër vjetësh të tjerë, në zgjedhjet e vitit 2021, Sali Berisha do të jetë 77 vjeç.

Ndërkohë, zgjedhjet e vitit 2017 përkojnë me fundin e mandatit presidencial, pas të cilit, Bamir Topi, qoftë në krye të Partisë Demokratike (hipotetikisht), qoftë në krye të partisë së tij të re të djathtë, nuk do ta kishte problem edhe po të qëndronte në opozitë, sepse nuk do t’i paguante kësaj situate asnjë haraç politik vetjak (njësoj si Edi Rama, që përgjatë legjislaturës 2005-2009, drejtoi një Parti Socialiste, në opozitë jo për faj të tij). Kësisoj, beteja e vërtetë politike për Bamir Topin do të fillonte vetëm në zgjedhjet e vitit 2021.

Nëse ky skenar nuk realizohet dhe Bamir Topi nuk e fiton mandatin e dytë, atij i mbetet opsioni i dytë: krijimi i partisë së re të djathtë, një vit përpara zgjedhjeve të vitit 2013. Koha është e pakët për të krijuar strukturat e partisë, që janë aq të nevojshme në raste fushatash, për organizimin e mitingjeve, për të mbajtur bashkuar njerëzit, për të ruajtur votat. Ndaj Bamir Topit i duhet të punojë që tani, paralelisht, në dy fronte: për të fituar mandatin e dytë dhe për të krijuar strukturat e partisë. Njëri prej skenarëve do të mbetet pa realizuar. Por ky është një çmim i ulët, krahasuar me blerjen e një të ardhmeje politike.

Nëse Bamir Topi, në krye të një partie të re të djathtë, – që është për dialogun dhe jo për sharjet, që mbështetet mbi pronarët dhe ish-të përndjekurit, që ngre lart vlerat qytetare dhe distancohet nga politika e konfliktualitetit, – merr pjesë në zgjedhjet e 2013-s, natyrshëm ai do të marrë vota nga shtresa e të djathtëve në përgjithësi (republikanë, ballistë, demokristianë të LDK-së, konservatorë, monarkistë, LZHK), por edhe nga Partia Demokratike. Sigurisht, Bamir Topi nuk është shpëtimtari i Shqipërisë, as fillimi i fundit të problemeve të saj. Por me partinë e tij të re, ai do të mund të hyjë në Parlament me çdo sistem zgjedhor. Sepse herën e parë në zgjedhje, ai do të përfitojë nga efekti i “gjësë së re”. Kaq e sigurt është kjo, sa është e sigurt se një pjesë e elektoratit është lodhur nga politika agresive dhe përdorimi i gjuhës së ulët dhe është gati të “provojë” çdo alternativë disi të besueshme që i paraqitet. Për këtë, mjaft të kujtojmë suksesin zgjedhor të Partisë Demokrate të Re të Genc Pollos, Nard Ndokës dhe Ferdinand Xhaferrajt në zgjedhjet e vitit 2001, dhe t’i shtojmë asaj edhe 12 vjet të tjerë pritjeje.

Por, në perspektivën e zgjedhjeve të vitit 2013, përveç garës me kohën dhe sfidës së organizimit të partisë së re, Bamir Topi ka një tjetër problem: Aleancën Kuq e Zi! Nëse deri më sot besohej se pas kësaj organizate qëndronte Presidenti i Republikës, bindje kjo e rrënjosur për shkak të mbështetjes së pakufishme mediatike nga e cila përfitoi Aleanca dhe sulmeve të Kryeministrit ndaj saj, tashmë është e qartë se Bamir Topi nuk ka fare lidhje me Aleancën. Madje, për hir të së vërtetës, shpesh Aleanca ka pasur një mbështetje mediatike më të madhe se sa vetë Presidenca, duke “prodhuar” lajme për axhendën e ardhshme të Aleancës, takimet që do të bënte ajo në Europë, por që s’i kishte bërë akoma etj., etj.

Teoritë konspirative shohin tek Aleanca një produkt të Sali Berishës, që nëpërmjet sharjeve dhe etiketimeve, e forcon organizatën çdo ditë e më shumë. Por, cilado qoftë e vërteta, produkt ose jo i Kryeministrit, një Aleancë Kuq e Zi, subjekt zgjedhor në vitin 2013, do të rrëmojë në elektoratin potencial të Bamir Topit: te patriotët konservatorë. Dhe nga kjo shpërndarje e votës “disidente”, përfiton direkt Kryeministri.

Ndaj e ardhmja nuk përvijon asgjë të qartë për Bamir Topin, vetëm pse ai ka dëshirë që qëndrojë në politikë. Nga mënyra se si do të luajë këtë vit, në një fushë me kaq shumë variabla, do të kemi një ide të përgjithshme të aftësisë apo paaftësisë së tij, për të marrë një ditë në dorë drejtimin e vendit. Njerëzit janë sy e veshë, tani që, më në fund, Bamir Topi “foli”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel