Përvjetori i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA

04/10/2011 00:00

Një pritje zyrtare e ndërtuar me kujdes, jo fort e zakonshme për të tilla raste, por me ceremonialitet domethënës. Ceremonia zyrtare e festimit të 20 vjetorit të rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë mblodhi në ambientet e ambasadës amerikane zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptarë, liderin e opozitës Rama, përfaqësuesit e trupit diplomatik, nga shoqëria civile, media dhe miq të kësaj ambasade.

E ndërsa të ftuarit e tjerë zinin vënd në oborrin e ambasadës, ambasadori Alexandër Arvizu në ambientet e brëndshme të ambasadës është takuar fillimisht me Presidentin Bamir Topi, dy ish-presidentët, Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu, ku gjithashtu morën pjesë edhe kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe zëvëndëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

Debora Jones zëvëndës/ambasadorja amerikanë duke folur në gjuhën shqipe i ka bërë një rezyme marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Më pas me fjalë të zgjedhura ka vlerësuar lart marrëdhëniet miqësore mes dy vëndeve.

“Jam krenar të flas mbi miqësinë e madhe dhe partneritetin e thellë mes dy vëndeve tona. SHBA dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të ngushtë. Një marrëdhënie që pasqyron angazhimin tonë të ndërsjelltë ndaj vlerave universale të lirisë dhe parimeve demokratike. Është një parneritet jetëgjatë që ndërtohet mbi pikëpamje që bashkëndajnë një Shqipëri të lirë dhe të begatë në një demokraci të fortë dhe të gjallë që adresohet aspiratat e shtetasve të saj. Ne gjithmonë kemi qenë në anën e kombit shqiptarë dhe do të vazhdojmë ta mbështesim përparimin, avancimin e vazhdueshëm të Shqipërisë, integrimi euro-atlantik, një shtet i fortë ligjor, një ekonomi e begatë e drejtuar nga tregu dhe institucione të pavaruara demokratike. Përparimi Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve të shkuara është i dukshëm. Asnjë vend në Ballkan nuk ka udhëtuar kaq shumë e larg për një periudhë kaq të shkurtër kohe. Faleminderit për këto 20 vite të mrekullueshme! Faleminderit për një mbrëmje magjike si kjo e sotmja!”, tha në fjalën e tij, ambasadori Arvizu.

Presidenti Bamir Topi në fjalën përshëndetëse pasi ka rikujtuar emocionet e vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker i konsideroi SHBA-të si mikun më të mirë të Shqipërisë.

“Ne iu jemi shumë mirënjohës, qeverisë së Shteteve të Bashkuara, popullit amerikan për gjithcka që ata kanë bërë në historinë e trazuar të Shqipërisë në dekada. Ne iu jemi mirënjohës për gjithcka keni bërë për lindjen dhe forcimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike. Nga kjo ceremoni, shumë sinjifikative dëshiroj të përshëndes presidentin Obama”, deklaroi presidenti Topi në fjalën e tij.

Mbase njeriu më i emocionuar në të gjithë ceremoninë ndoshta më shumë se ambasadori Arvizu ishte kryeministri Sali Berisha, duke reflektuar në fjalën e tij edhe peshën e debatit politik të ditës.

“I nderuar zoti Ambasador Arvizu, zonja Arvizu, zoti President i Republikës, zonja Topi, zonja kryetare e Parlamentit, zoti Topi…zoti Topalli. Por zoti President ka edhe një moment shumë të vecantë, të 20 viteve më parë…zoti Ambasador. Jam pak i emocionuar prandaj edhe nuk…Të gjitha vendimet e vendit tuaj, e presidentëve dhe të qeverive të vendit tuaj në 90 vitet e fundit, janë vendime që kanë të bëjnë direkt me ekzistencën e lirë të shqiptarëve, me pavarësinë e tyre në një kohë kur të tjerët vendosën ta fshinin nga harta Shqipërinë”, tha në fjalën e tij kryeministri Berisha.

Nuk munguan edhe ardhjet me vonesë në këtë ceremoni. Lideri opozitës Edi Rama së bashku me bashkëshorten Linda mbërritën vetëm disa minuta pasi ambasadori Arvizu kishte nisur fjalën përshëndetëse. Sikurse Rama, të vonuar ishin edhe ministri Sokol Olldashi me kolegun e financave Ridvan Bode.

Top Channel