Kasat fiskale shtypen për procedurë

04/10/2011 08:05

Më shumë se një vit pas vendosjes së kasave fiskale për të gjitha bizneset, punonjësit e tatimeve tregojnë se procesi po kthehet në një procedurë pa kuptim dhe pa efekt në menaxhimin e mbledhjes së të ardhurave.

Sipas gazetës “Shqip”, ka shumë biznese që nuk i printojnë faturat, duke ulur shitjet reale të raportuara, por ka edhe shumë biznese të tjera që shtypin herë pas here kasën për të kryer raportime që nuk kanë vlerë, pasi statusi i tyre si biznes i vogël nuk ndryshon, thonë ekspertët e tatimeve, të cilët këto ditë janë nën ethet e një beteje politike të brendshme.

Kasat u vendosën vitin e kaluar nën besimin që do të formalizonin mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të qeverisë.

Por pikërisht në vitin e parë të përdorimit të kasave, arkëtimet e administratës tatimore në formën e TVSH-së kanë rënë.

Në prill të këtij viti, arkëtimet e TVSH-së ishin 37 për qind më të ulëta se sa në prill 2010, kur kasat nuk kishin hyrë ende në përdorim masiv.

Për të gjithë periudhën janar-korrik, tatimet kanë arkëtuar 14 miliardë lekë TVSH, ose 16.7 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit 2010. Fenomeni në fjalë u denoncua pak ditë më parë dhe nga Autoriteti i Konkurrencës.


Metodat e fshehjes

Ekspertët e tatimeve kanë bërë një listë me metodat e përdorura nga bizneset e mëdha për të mos raportuar shitjet me kasë.

E para dhe më e përdorshmja është ajo e vjetra: shite një mall dhe mos e shëno në kasë. Tatimorët kanë të drejtë të vendosin gjobë deri në 100 mijë lekë në rast se zbulojnë një rast të tillë dhe për këtë arsye, bizneset i janë drejtuar metodave të tjera.

Mënyra e dytë është lëshimi i një fature të printuar, që në fakt nuk ka dalë nga kasa, por nga një kompjuter i çfarëdoshëm.

Metoda e tretë është printimi i disa faturave për t’i pasur rezervë në rast se vijnë tatimorët. Lokalet p.sh, e marrin faturën pasi përfundojnë kafenë klientët dhe ia transferojnë faturën klientit pasardhës.

Ndërsa bizneset e rëndësishme si dyqanet nëpër qendrat tregtare apo lokalet e restorantet luksoze kanë shpikur marifete të ndryshme për të fshehur shitjet, një kategori tjetër biznesesh, si byrektoret apo parukieret kanë filluar të shtypin herë pas here kasën fiskale nga frika se, nëse nuk raportohet asgjë në tatime, mund të gjobiten.

Për bizneset e vogla, nuk ka ndonjë rëndësi nëse raportohen shitjet reale, më shumë apo më pak, pasi statusi i tyre si tatimpagues nuk ndryshon.

Ato do të vijojnë të funksionojnë si biznes i vogël me taksa fikse që paguhen në bashki, pavarësisht nëse e shtypin apo jo kasën fiskale.

Top Channel