Heqja e TVSH-së për ushqimet

04/10/2011 00:00

Partia Socialiste ka hedhur një hap tjetër duke i kthyer në projektligj,
propozimet e anoncuara nga deputetja Mimi Kodheli një javë më parë për
heqjen e TVSH-së për disa artikuj jetik për qytetarët shqiptarë.

Gramoz Ruci, kryetar i grupit parlamentar të PS-së, i ka dërguar kryetares së kuvendit Jozefina Topalli një propozim në formën e projektligjit për disa shtesa e ndryshime në ligjin për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”.

Projektligji socialistëve një kopje të cilit është siguruar nga Top Channel, në katër nenet e tij synon që “furnizimi për grurin, miellin, bukën, qumështin, vezën, duhet të jenë furnizime të  tatohen me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatohen  në masën 10%, duke filluar nga dt.1 janar 2012”. Ndërsa në nenin 3 projektligjit  kërkohet që ‘nga dt.1 janar 2012, furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetsore nga institucionet shëndetsore, publike dhe private është furnizim i përjashtuar.”

Së bashku me projektligjin, kryetares së parlamentit i është dërguar një raport ku socialistët kanë parashtruar një sër arsyesh përse TVSH-ja duhet të hiqet këto artikuj. ‘Ushqimet bazë të shportës konsumatore, sot në Shqipëri, zënë më shumë se gjysmën e buxhetit të cdo familje me të ardhura mesatare, – thuhet në raport,- ndërkohë që shumica dërrmuese e familjeve shqiptare në fund të muajit, nuk kursejnë dot asgjë nga të ardhurat e tyre’.

Socialistët thonë se barra fiskale për çdo familje shqiptare gjatë 5 viteve të fundit është rritur me 18 %. Gjatë kësaj periudhe megjithëse të ardhurat disponibël për konsum ishin rritur me 44 %, vetëm disa nga zërat bazë për të përballuar jetesën e përditshme janë rritur si më poshtë:

Energjia elektrike është rritur 62 %;
Barnat jane rritur 43 %;
Shërbimi shëndetësor është rritur 50 %;
Mielli, Buka, Sheqeri, Vaji, Orizi janë rritur mesatarisht me 52 %.

Nevojat për mallrat vaj, sheqer, oriz plotesohen të gjitha nga importi dhe përgjysmimi i TVSH-së për këto mallra do të sillte një efekt në buxhetin e shtetit jo më të madh se 1,8 mld lekë. Ndërsa tatimi me 0% TVSH i grurit, miellit, bukës, qumështit dhe vezëve do të ketë një efekt jo më shumë se 1,9 miliarde lekë.

Për hartuesit e projektligjit efektet financiare pasojë e kësaj nisme ligjore mund të përballohen nga të ardhurat e siguruara nga dhënia e licensës së II të 3G një kompanie të telefonisë mobile por edhe nga përmiresimi i administrit fiskal e vecanerisht uljes së evazionit fiskal.

Top Channel