A duhet që presidenti të zgjidhet nga populli?

04/10/2011 00:00

Bledar Kurti – Në një intervistë televizive, Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi,
ndër të tjera hodhi idenë e zgjedhjes së presidentit nga populli.
Ndryshe nga si e përcakton Kushtetuta, Presidenti Topi deklaroi se do të
ishte mirë për vendin që institucioni i Presidentit të Republikës të
drejtohet nga një figurë e cila zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli.

Në fakt, ideja e zgjedhjes së presidentit nga populli ka muaj që komentohet në media, si nga analistë, ashtu edhe nga politikanë të ndryshëm, duke dhënë impresionin e një lobingu të organizuar për këtë çështje.

Por a do ishte vërtet më mirë për vendin që të arrihej një ndryshim kushtetues dhe të mundësohej zgjedhja e presidentit me votë popullore?

Së pari, ndonëse kjo procedurë aplikohet në disa vende të botës, është e vështirë të ndërthuret organikisht me sistemin e republikës parlamentare që ka Shqipëria. Kjo mund të bëhej e mundur vetëm nëse demokracia e vendit tonë do të ishte e konsoliduar prej dekadash dhe jo fraxhile siç është sot. Do ishte një akt politik progresist, nëse partitë politike në vend do ishin altruiste në lidhje me pushtetin dhe institucionet, por jo me natyrën uzurpuese që kanë sot. Nën klimën aktuale politike, zgjedhja e presidentit nga populli do sillte më shumë stuhi dhe agravim të situatës sesa ulje të tensionit dhe detantè midis partive politike.

Ideja e zgjedhjes së presidentit nga populli tingëllon shumë romantike, por mbart një seri problemesh brenda vetes të cilat e bëjnë atë të mos gjejë prakticitet në situatën aktuale, madje mund të shkaktojë ndarje të mëtejshme politike.

Nëse presidentin e zgjedh populli, kush do ta largojë atë nga detyra nëse ai shkel ligjin dhe abuzon me detyrën? Përsëri populli? Si? Apo do të jetë Parlamenti ai që do ta ketë këtë të drejtë? Nëse po, atëherë i bie që kreu i shtetit të zgjidhet nga populli dhe të shkarkohet nga politika, ndaj a nuk është më mirë formula ekzistuese e cila, të paktën, i ofron palëve politike të arrijnë një konsensus?

Do të ishte mirë që përpara se të kemi një president nga populli të kishim një Parlament nga populli. Me sistemin proporcional rajonal, popullit i lejohet të zgjedhë vetëm partinë dhe jo individin që do ta përfaqësojë atë. Një deputet, i cili supozohet të ketë zyrë në lagjen, komunën dhe qytetin ku banon për të dëgjuar shqetësimet e njerëzve, nuk zgjidhet direkt nga populli por nga partia, atëherë çfarë vlere ka nëse një popull i tërë voton për dikë që ka rezidencë në Tiranë dhe që nuk është aspak e lehtë ta takojnë jo vetëm ata që banojnë në skajet më të largëta të vendit, por as edhe ata që banojnë në Tiranë?

Gjithashtu, një president nga populli do sillte një fushatë me shumë shpenzime për buxhetin e shtetit dhe do t’i hapte derën marrëveshjeve me biznesmenët dhe madje me vetë partitë politike. Nëse konsensusi midis partive mund të prodhojë një president nga politika, akademia, shoqëria civile, diplomacia, kultura, ushtria etj., siç është precedenti i presidentëve Meidani dhe Moisiu, presidenti nga populli prodhon vetëm biznesmenë apo politikanë të pasur, pasi asnjë njeri i thjeshtë pa para nuk do t’i përballonte dot shpenzimet e jashtëzakonshme të një fushate presidenciale.

Një president nga populli prodhon një kandidat apo fitues që mund të bëjë marrëveshje paraprake me partitë politike të cilat me numrin e madh të anëtarëve dhe militantëve të tyre janë decizivë në vendosjen se kush do të bëhet president. Ndaj a është më mirë një president i dalë nga një marrëveshje politike apo nga një mazhorancë qeverisëse, apo një individ që në emër të popullit bën pazare dhe marrëveshje të fshehta me partitë politike?

Demokracia e brishtë shqiptare nuk ofron nisma për ndryshime rrënjësore kushtetuese. Nëse do ngulmohet dhe do shpenzohet shumë energji në ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga populli, kjo do jetë thjesht një përpjekje e një grupimi të caktuar, të cilit i intereson një nismë e tillë. Nëse kjo ide romantike dhe idealiste për të lënë në duart e popullit të zgjedhë kreun e shtetit është e vërtetë dhe me qëllim të pastër, do të ishte më mirë të ketë një kohë pritje për konsolidimin e demokracisë në vend. Është shumë herët për të bërë ndryshime të tilla kushtetuese dhe shumë vonë për t’i bërë ato përpara zgjedhjes së presidentit të ri, në korrikun e ardhshëm.

Një president nga populli nuk ka qenë dhe nuk është prioritet dhe kriter për integrimin e vendit në BE, ndaj është mirë që politika shqiptare të bashkëpunojë për arritjen e 12 pikave të caktuara si detyrë nga KE.

Pavarësisht çdo ndryshimi kushtetues, madje edhe një ndryshim total të të gjithë sistemit qeverisës nuk do prodhojë një politikë apo demokraci më të mirë nga kjo që kemi sot. Fajin nuk e ka as sistemi dhe as ligjet, por njerëzit që e drejtojnë sistemin dhe zbatojnë ligjet. Ne mund të huazojmë sisteme të përsosura nga jashtë, por njerëzit që do ta drejtojnë sistemin janë nga brenda, ndaj përpara se të ndryshojë sistemi dhe Kushtetuta duhet të ndryshojnë njerëzit që e bëjnë politikën shqiptare.

Presidenti nga populli duhet të jetë nisma e fundit në axhendën e politikës. Nëse politika maturohet dhe dëshiron të lërë në duart e një populli të ndërgjegjësuar caktimin e disa institucioneve qeverisëse dhe administrative, atëherë le ta fillojë me votimin nga njerëzit e thjeshtë të drejtorëve të shkollave dhe drejtorive arsimore, le të zgjedhë me short njerëz apolitikë për komisionet e administrimit të zgjedhjeve, le të ndërtohet një strukturë kualifikimi dhe karriere për nëpunësit civilë që të evitohen sa më shumë caktimet politike në administratën shtetërore dhe strukturat publike dhe administrative, të propozohen nga shoqëria civile dhe jo nga partitë kryetarët e bashkive dhe komunave, si dhe të kufizohet numri i mandateve të kryetarëve të bashkive dhe komunave, së bashku me numrin e mandateve të kryeministrit.

Një qeveri e popullit, nga populli dhe për popullin kërkon më shumë sesa zgjedhja e presidentit me votë popullore. Vetëm kur politika të ndryshojë dhe kuptojë se ajo është një mjet shërbimi dhe jo sundimi, do mundemi të progresojmë në reforma të cilat ndihmojnë në konsolidimin e demokracisë liberale në vend.

Një president nga populli nuk garanton marrjen e statusit kandidat në BE, ndaj politika bën mirë të angazhohet në përmbushjen e 12 kritereve të rekomanduara nga KE, në mënyrë që të mos e humbin trenin për në Europë vitin që vjen, ashtu siç e humbëm këtë vit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel