Topi: Të lihen pas mllefet e retorikat boshe

03/10/2011 00:00

Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaron se klasa politike shqiptare
duhet t’i lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe dhe debatet
shterpë dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe
prosperitetin e vendit.

Në një takim me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona McIlwham, Topi theksoi se politika duhet të fokusohet në cështjet e integrimit dinjitoz e sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen evropiane.

Nga ana e saj, ambasadorja McIlwham theksoi nevojën për një agjendë kombëtare reformash strategjike të arritur me vullnet të qartë dhe konsensus politik, e cila do të mundësojë integrimin e vendit tonë në gjirin e Bashkimit Evropian.

Po ashtu ambasadorja vlerësoi rolin institucional dhe publik të Presidentit në zhvillimet politike në Shqipëri, përmes mesazheve të qarta dhe koherente për dialog, bashkëpunim dhe angazhim serioz të të gjithë aktorëve politikë e institucionalë për kapërcimin situatës aktuale politike në vend.

Në takimin e punës, bën të ditur njoftimi zyrtar i presidencës, bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët për domosdoshmërinë dhe nevojën e bashkimit të vullneteve politike në vend për gjetjen rrugëve efikase të komunikimit dhe bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare në shërbim të reformave thelbësore e të rëndësishme të kuadrit politik, ligjor, ekonomik dhe social, si dhe për plotësimin e kritereve kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Top Channel