Aleksander Cipa – Kursin e ri politik si kryesues opozite, Edi Rama
beson se e ka nisur disi ndryshe; Është pakti prej dhjetë pikësh, i cili
tashmë i ka mbetur shumicës së kryesuar prej Kryeministrit Berisha, si
“letër rekomande”, e cila edhe për “arsye postare”, meriton një
përgjigje.

Në këtë lloj të ri komunikimi politik, Rama po shfaqet si preferent i sentencës latine, të cilën gjatë fushatës elektorale të majit të shkuar, zoti Berisha e përmendte aq përsëritshëm: “Verba volant, scripta mannent”. Rama preferon t’ia përcjellë kundërshtarit të tij politik gjithçka të hedhur në letër. Në këtë mënyrë ai po pozicionohet disi ndryshe nga e shkuara e deritanishme, si përballë kundërshtarit, ashtu edhe para faktorit diplomatik e institucional ndërkombëtar. Në këtë strategji përfshihet edhe artikull-shkrimi, të cilën kryeopozitari i vendit po e shndërron në një mjet të shumëdiskutuar, por të pabraktisshëm në luftën dhe shfaqjen e politike.

Kursi i Ramës, sipas vetë Ramës, synon: “…të nxjerrë Shqipërinë nga kriza e demokracisë dhe e ekonomisë”. Për këtë arsye dhe po për këtë qëllim, Rama e fton Berishën në një debat publik. Një “dorashkë e vonuar” në përballjen kalvarike të tij me Kryeministrin dhe sidomos në gjithë kapitullin që nis pas 8 majit, por ndoshta e vlefshme për një regji të re. Impakti synues, natyrisht që buron prej një konteksti më të afërt, siç është ai i përgjigjes zyrtare refuzuese të statusit të vendit kandidat që BE pritet të shpallë në mes të këtij muaji në adresë të Shqipërisë.

Një kosto e rëndë politike është grumbulluar në marrëdhënien pozitë-opozitë në këtë vend në lidhje me këtë refuzim politik. Ai që preferueshëm pozita e ka vetëquajtur “ngërç” dhe opozita “krizë”, në vetvete është një realitet stanjativ, është një faturë e cila ka përgjegjës dhe autorësi. Protagonistët Berisha dhe Rama dhe enturazhet e tyre kanë nisur herët ta pingpongojnë këtë fajësi dhe përgjegjësi. Në emër të këtij qëllimi, propaganda zyrtare është investuar të krijojë me ditë e muaj një mirazh alla bolshevik për sabotim dhe pengesë, ndërsa arsenali opozitar është investuar të nihilojë e zvogëlojë, si në patologji “për armikun”. Në këtë kontrast protagonizmi, politikëbërësit e vendit, po e mbajnë shoqërinë në ditë skeptike dhe në rrethana të shumta paqartësish. Pozita po i ikën përgjegjësisë për vonesën dhe sfidën e humbur. Opozita nuk ka kapacitetin të ndalet analitikisht dhe të auditojë procesin me gjithë përgjegjësitë rrjedhëse. Madje duhet thënë, se kjo opozitë për një kohë relativisht të gjatë, u duk se e pati humbur ndërgjegjen e përgatitjes si kandidat-qeverisëse. Ajo i mënjanoi kapacitetet e veta artikuluese nga skena publike dhe në një lloj kuptimi, tejzgjati mungesën në debatin për çështje dhe probleme madhore, duke kompromentuar programin dhe ndërgjegjen e vet politike. Edhe aktualisht, kjo opozitë është pa ansambël politik. Madje ajo nuk po shfaqet dot edhe si koalicion as në format “trioje apo kuarteti”. Lidershipi i saj malinjisht vijon të gjenerojë brenda grupeve dhe nëngrupeve të interesit politik, shantazh dhe autosabotim politik. Mes këtyre grupeve dhe kryetarit dukshëm ka diferenca dhe pakënaqësi. Ky është një problem i cili nuk mund të shihet më si “çështje e brendshme e opozitës”. Kjo vetëkapje e opozitës është arsye e valencës së ulët që karakterizon opozitarizmin aktual në vend. Në vetvete ky është një problem serioz për shoqërinë dhe vendin. Madje, është shumë e shumë herë më i rrezikshëm se antikorrupsioni i munguar i drejtësisë dhe politikës zyrtare në vend. Kjo opozitë e vetëkapur, është seriozisht alternativa e penguar e konkurrencës dhe recencës qeverisëse, është mekanizmi ndryshkës i mosfunksionimit të demokracisë dhe sidomos i institucionalizmit. Kjo gjendje e opozitës përbën një “cerozë” tipike korrupto-majtiste, e cila faturohet si e ardhme pesimiste për qeverisjen e nesërme të vendit dhe shoqërisë. Prej saj nuk përfitohet demokraci e brendshme partiake, por vetëm fragmentaritet dhe infatilitet opozitar. Opozita nuk është aktualisht korpus me gjithë arkitekturën solide të saj. Këtij institucioni nuk i funksionojnë as “kombinati i ideve” e as agregatet lëvizëze politike. Zoti Rama nuk ka mundur, por tashmë duhet imediatisht të funksionalizojë dhe orientojë establishmentin opozitar kah aksioni i mirëmenduar dhe strategjia me rezultat. Zoti Rama, në raport me realitetin, tashmë ka hyrë në “zonën” e kohës së pamjaftueshme për veten si kryetar opozite. Idetë politike janë varfëri e dukshme e kësaj opozite dhe pakti i sjellë prej zotit Rama, në mos qoftë ide, së paku është një “scripta mannent”. Prej “së shkruarës”, kreu i opozitës beson se do të rrjedhë një lëvizje. Kjo është pamjaftueshmëri e plotë. Është e tillë, sepse aktualisht vendi ka ikur prej besueshmërisë ndaj cilësisë dhe vlerës së demokracisë institucionale. Antagonizmi është bërë “mjegulla” pas së cilës nuk jemi në gjendje të verifikojmë se deri ku jemi të krahasueshëm me vende të ngjashëm dhe deri ku jemi të pakrahasueshëm me vende që vlejnë realisht për krahasim standardi. Kjo gjendje kaotike dhe ky sistem mashtrimi, kanë uzurpuar të sotmen dhe fatkeqësisht edhe të nesërmen e afërt të shoqërisë. Në këtë stanjacion socio-ekonomik, mediokriteti dhe sidomos nënvlershmëria, janë bërë dominante dhe autoritet i paspostueshëm. Kriza e vlerave është më e rëndë se kriza e mbuluar ekonomike apo ajo e injoruara, kriza sociale. Në këtë situatë, pohimi i zotit Rama pak kohë më parë, në intervistën me “Shqip”, për “llumokracinë” nuk shkaktoi asnjë reagim dhe fatkeqësisht as hapje diskutimi për gjendjen në mos në krizë të thellë, së paku kritike, të meritokracisë dhe demokracisë shqiptare.

Mesa duket, zoti Rama duhet të rishikojë raportin e vet me korpusin opozitar, raportin e vet me aksionin dhe sidomos, me idetë politike. Kryeministri Berisha nuk mund të dalë i humbur nga një debat publik, në një mjedis shoqëror si ky i yni, ku lodhja nga propaganda dhe sidomos ilariteti për të vërtetat janë bërë formë e vetme realiteti. Ftesa për debat apo ndërhyrjet diplomatike për takime private dhe jo të tilla Rama-Berisha, së pari rrezikojnë vetë ftuesin. Një opozitë që fton, padyshim që është në avantazh, por një opozitë që fton duke qenë prej kohësh në dilema të brendshme përfaqësimi, prej të ftuarit të saj, mund të rezultojë sërish e zhgënjyer. Dhe pas zhgënjimit, nuk ka më kohë për rikthim në aksionin e revoltës popullore apo të protestës nëpër sheshe. Ftesa e tanishme e zotit Rama për Kryeministrin Berisha, është raport i rishikuar mes pozitës dhe opozitës. I tillë duhet trajtuar në çdo detaj dhe në çdo kapitull. Zoti Rama duhet t’i përmbahet së paku me besnikëri pohimit të vet të shkruar se: “Ky realitet i ndryshuar e ka mbyllur vetiu kapitullin e dy viteve të shkuara dhe ka imponuar hapjen e një faqeje tjetër të betejës sonë. Me një kurs të ri”.

Kursi i ri nuk mund të mjaftojë me taktikën e një ftese. Politikani Berisha, në jetëgjatësinë politike, ka të ripërsëritur përfitimet prej ftesash dhe takimesh të tilla. Kjo ftesë, zoti Rama, nëse nuk bashkëshoqërohet me ndërgjegjen e lartë politike dhe sidomos me konsistencën tënde, mund të shndërrohet rishtazi një pësim dhe ndëshkim politik, si ai që bëtë ortakërisht për ndryshimin e Kushtetutës më 21 prill të 2008-s. Kësaj here ftesa jote mbart potencialisht rrezikun për rezultatin tënd si ftues.

Gazeta “Shqip”

Top Channel