Lufta tregtare, Kroacia kërkon të penalizojë Shqipërinë

01/10/2011 00:00

Një propozim i Kroacisë në negociatat tregtare mes vendeve të BE-së dhe
atyre të rajonit, mund të nxjerrë jashtë loje eksportet shqiptare.

Propozimi rrit gati me dy herë kufirin për vlerën që prodhuesit shqiptar duhet t’u shtojnë produkteve në vend në mënyrë që të marrin certifikatën e origjinës.

“Kroacia ka bërë një propozim që Shqipërisë t’i rritet kuota nga 47 në 75 përqind. E gjithë kjo nxjerr jashtë loje gjithë këto biznese dhe nuk u jep më mundësi për të eksportuar as si fason, por as si ‘Made in Albania'”, thotë eksportuesja Donika Mici.

Për shkak se pjesa dërrmuese e eksporteve shqiptare bazohen tek lënda e parë nga jashtë dhe vlera që shtohet në vend është e ulët, ky propozim mund të bllokojë tregun e huaj për mallrat shqiptarë, pasi pa certifikatën e origjinës, ato taksohen në doganat e BE-së

“Deri më sot është 47 përqind vlera që duhet të kërkuar brenda vendit për të marrë origjinën e mallit. Me origjinën e mallit ne arrijmë të jemi konkurrues në treg”, thotë Mici.

Flamur Hoxha, president i Dhomës Kombëtare të Veshjeve thotë se kjo mund të jetë fatale për biznesin eksportues.

Por ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë thonë se cdo shtet ka të drejtë të bëjë propozimet e veta, por kjo sdo të thotë se ato miratohen automatikisht. Sipas tyre, biznesi shqiptar vetë ka qenë pak i përfshirë në proceset e negociatave për të mbrojtur interesat e tij edhe pse Ministria e Ekonomisë i ka kërkuar disa herë shoqatave të sipërmarrjes të paraqesin propozimet e tyre. Vendimi për kuotat e reja pritet të merret në nëntor.    

Top Channel