Kursi, leku humbet terren në shtator

01/10/2011 08:20

Monedha shqiptare humbi 0.4 për qind të vlerës së vet kundrejt euros dhe 4.6 për qind kundrejt dollarit amerikan gjatë muajit shtator, një performancë kjo më pak negative se sa është vërejtur gjatë muajve shtator të viteve të shkuara.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, sipas gazetës “Shqip”, tregojnë se euro u këmbye gjatë shtatorit me mesatarisht 140.5 lekë dhe kundrejt euros me 102 lekë.

Në gusht euro pati kushtuar mesatarisht 139.9 lekë ndërsa dollari 97.5 lekë. Në krahasim me shtatorin 2010, leku ka humbur 2.5 për qind të vlerës së vet kundrejt euros dhe ka fituar 2.7 për qind kundrejt dollarit amerikan.

Sipas të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë, tetori është një muaj ku leku nuk ka një tendencë të qartë forcimi apo dobësimi.

Të dhënat nga viti 2002 e pas, tregojnë se në tre raste leku është forcuar kundrejt euros, në katër raste është dobësuar dhe në dy raste ka qëndruar stabël. Leku i nënshtrohet efekteve sezonale të shkaktuara nga nga faktorë të ndryshëm.

Sezoni turistik dhe ardhja e emigrantëve për pushime në gusht dhe dhjetor shoqërohet me forcim të lekut ndërsa largimi i fitimeve të korporatave në shkurt-mars si dhe rritja e importeve gjatë dimrit shoqërohet me dobësim.

Që në fillim të muajit që sapo përfundoi, të dhënat historike tregonin se monedha shqiptare do të humbiste rreth 1 për qind të vlerës së vet gjatë shtatorit.

Top Channel