Enti Rregullator po shqyrton kërkesat e kompanive CEZ, KESH dhe OST

30/09/2011 08:20

Enti Rregullator i Energjisë është duke përjetuar një situatë tepër delikate, pasi të tria kompanitë, CEZ, KESH dhe OST kanë kërkuar rritje të çmimit.

Mësohet se zyrtarisht ERE ka nisur diskutimet për aplikimin e tarifave të reja për vitin 2012. Vendimi është marrë nga bordi drejtues i entit, duke iu referuar aplikimeve të paraqitura nga shoqëritë në javën e parë të muajit shtator. Ndërsa për CEZ është mësuar kërkesa për rritje mesatare prej 4.5 për qind, dhe nga KESH deri në 200 për qind, te OST mungon tërësisht informacioni dhe nuk dihet se ku konsiston propozimi.

Gazeta ‘Shqip’ bën të ditur se aktualisht kompania po menaxhohet nga një drejtor i ri dhe pak dihet rreth projekteve apo lëvizjeve të kompanisë. ERE thotë se është detyrimi i kompanive për të bërë publike propozimin për rishikimin e çmimeve, kurse enti është i obliguar të thërrasë grupet e interesit për të diskutuar në publik tarifat e reja.
 
Në vendimin e Entit Rregullator nuk do të merret parasysh vetëm kërkesa e CEZ-it, por edhe e dy kompanive të tjera, duke iu referuar një sërë faktorëve. Drejtuesit e rregullatorit pranojnë se procesi i vendosjes së tarifave të reja është tepër kompleks.

Duke u ndalur te kërkesa e CEZ, vihet re se, sugjerimet e kompanisë çeke prekin më shumë familjet që konsumojnë në muaj më tepër se 300 kilovat. Aktualisht tarifa që paguhet është 13.5 lekë, ndërsa CEZ propozon një çmim prej 14.2 lekë, me një rritje rreth 5 për qind, kurse për kategorinë e konsumit mujor nën 300 kilovat, tarifa sugjerohet të jetë 8 lekë, nga 7.7 lekë që është aktualisht (pa TVSH).

“Aplikimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike është llogaritje komplekse dhe çmimet fundore të propozuara përmbajnë disa komponentë të tarifave”, shprehen drejtuesit e kompanisë. CEZ Shpërndarje gjatë këtyre dy viteve që nga blerja e shumicës së paketës së aksioneve të kompanisë ka investuar 5,4 miliardë lekë, ka hapur 43 qendra të kujdesit ndaj klientit, ka mundësuar gjetjen dhe printimin elektronik të faturës së energjisë elektrike dhe centralizuar sistemin e faturimit.

Top Channel