Topi: Vijim i reformave legjislative

29/09/2011 00:00

Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaroi se është më rendësi vazhdimi
i reformave legjislative e institucionale të të gjithë sistemit
gjyqësor për t’u sinkronizuar me standardet më të mira evropiane.

Gjatë një takimi zhvilluar në presidencë me Kryetaren e Gjykatës së Lartë austriake, Irmgard Gris, Topi edhe në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vuri në dukje se “ekziston kuadri ligjor cilësor, bashkëkohor e në përputhje me standardet evropiane, por për të garantuar një drejtësi efektive nevojitet zbatimi i drejtë i këtyre ligjeve nga ana e një sistemi gjyqësor profesional, të paanshëm e të pavarur nga çdo lloj influence politike”.

Nga ana e saj, Gris, duke shprehur njëkohësisht përshtypjet e saj për reformat në gjyqësor që po zbatohen në Shqipëri, të cilat duhet të vazhdojnë si një proces afatgjatë dhe i rëndësishëm,  vuri në dukje se ‘një sistem gjyqësor vërtet i pavarur nga ndikimet politike ose ekonomike nuk ka vetëm miq”.

“Sistemi gjyqësor luan një rol të rëndësishëm në përmbushjen e aspiratave integruese të vendit dhe përsosja e vazhdueshme e tij do të rriste edhe prestigjin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, tha Gris.

Top Channel