Fullani: Ulet me 0.25% norma bazë e interesit

29/09/2011 00:00

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli normën bazë të interesit
me 0.25 pikë përqindje duke e rikthyer atë sërish në nivelet më të ulëta
me 5 për qind.

Guvernatori Ardian Fullani tha se përmes këtij vendimi banka synon t’i japë një stimul të ri ekonomisë duke nxitur konsumin dhe investimet që sipas tij mbeten në ritme të ngadalta. Sipas Fullanit inflacioni mbetet i kontrolluar dhe se banka pret që rritja e cmimeve të jetë brenda kufijve ligjor, cka bëri të mundur ndërhyrjen në normën bazë.

Guvernatori tha se ekonomia vazhdon të ruajë ritmet pozitive, por sërish tërhoqi vëmendjen mbi gjendjen e paqartë që po kalojnë ekonomitë fqinje dhe eurozona, që e bën të pasigurtë edhe ecurinë e ekonomisë shqiptare.  

Ashtu sikurse njoftoi Top Channel nje dite me pare ekspertët e bankës mendojnë se ndalja e rritjes së cmimeve në muajt e fundit ka krijuar kushtet që banka t’i japë një stimul të ri ekonomisë, e cila vazhdon të mbetet nën potencialin dhe me ritme të ngadalta.

Në gusht rritja vjetore e cmimeve sipas INSTAT zbriti në 3.1 për qind pranë nivelit optimal të synuar, shumë më poshte nga sa ishte në muajt e parë kur kaloi edhe 4.5 për qind. Nga ana tjetër ulja e normës bazë synon të rrisë qarkullimin e parasë në ekonomi përmes nxitjes së investimeve dhe konsumit. Ekonomia shqiptare po kalon një situatë ku agjentët ekonomik kryesisht qytetarët po priren drejt kursimeve dhe kanë ulur konsumin dhe investimet.

Në këtë pikë ulja e normës bazë synon dy efekte. Së pari tenton t’i bëjë më pak të leverdishme kursimet, pasi nëse ulet norma bazë edhe interesat e depozitave bien. Dhe së dyti të nxisë investimet dhe konsumit përmes interesave më të ulëta për kreditë.

Top Channel