Zbardhet propozimi i CEZ: Rritje deri në 5% për familjet

28/09/2011 08:15

Zbardhet propozimi i CEZ-it për rritjen e çmimit të dritave mesatarisht me 4.5 për qind. Sugjerimet e kompanisë çeke prekin më shumë familjet që konsumojnë në muaj më tepër se 300 kilovat.

Aktualisht tarifa që paguhet është 13.5 lekë, ndërsa CEZ propozon një çmim prej 14.2 lekësh, me një rritje rreth 5 për qind, kurse për kategorinë e konsumit mujor nën 300 kilovat, tarifa sugjerohet të jetë 8 lekë, nga 7.7 lekë që është aktualisht (pa TVSH).

Sipas gazetës ‘Shqip’, më datën 1 shtator 2011, CEZ Shpërndarje ka paraqitur zyrtarisht pranë ERE-s kërkesën për rishikimin e tarifave të shërbimit të shpërndarjes dhe çmimeve të shitjes me pakicë për konsumatorët tariforë për vitin 2012.

“Aplikimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike është llogaritje komplekse dhe çmimet fundore të propozuara përmbajnë disa komponentë të tarifave”, shprehen drejtuesit e kompanisë. Disa nga arsyet kryesore që e detyrojnë CEZ Shpërndarjen të kërkojë rritje të tarifave janë: inflacioni – Banka e Shqipërisë deklaroi një rritje të inflacionit në nivelet 3.6%; rritja e çmimit të energjisë elektrike që importohet apo blihet nga tregjet ndërkombëtare, si dhe kostot që burojnë nga ndryshimet e fundit ligjore, të cilat lidhen me detyrimin e CEZ Shpërndarje për të bërë verifikimin fillestar dhe periodik të matëseve nga një laborator i pavarur, kundrejt tarifave të miratuara me një urdhër të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë.

CEZ  Shpërndarje gjatë këtyre dy viteve, që nga blerja e shumicës së paketës së aksioneve të kompanisë ka investuar 5,4 miliardë lekë, ka hapur 43 qendra të kujdesit ndaj klientit, ka mundësuar gjetjen dhe printimin elektronik të faturës së energjisë elektrike dhe ka centralizuar sistemin e faturimit.
 
Rritje të çmimit kërkon dhe KESH, me gati 200 për qind. Kërkesa e korporatës lidhet me situatën aspak të favorshme hidrike dhe financiare. KESH-it vitin e kaluar ERE ia uli çmimin e shitjes së energjisë duke e penalizuar financiarisht. Me propozimin e ri, korporata kërkon të ekuilibrojë tarifat dhe të përmirësojë financat, në mënyrë që të garantojë furnizimin sa më normal. Vendimi për tarifat e reja do të merret nga ERE në dhjetor dhe do të hyjë në fuqi në janar 2012.

Top Channel