Vrasjet e rënda, pa autor!

28/09/2011 20:10

Një vrasje e trefishtë ndodhi në Elbasan në mars të këtij viti. Tre persona të së njëjtës familjes në lagjen Syrja Dylgjeri u ekzekutuan me armë zjarri natën.

Vrasësi hyri në shtëpinë e tyre dhe u largua. Policia deklaroi zbulimin e autorëve, për shkak se dyshonte të ishte kryer për hakmarrje.

Në të njëjtën kohë humbi jetën në Vlorë gjatë një shpërthimi me eksploziv një i ri. Eksplozivi iu vendos në automjet dhe shpërtheu me celular. Policia tha se ishte afër zbardhjes së ngjrarjes, por nuk mundi t’i gjejë dot autorët.

Ngjarja ishte tepër e rëndë për opinionin publik në Vlorë, i cili do të tronditej po njësoj gjashtë muaj më pas, në shtatorin e këtij viti, ku në të njëjtën mënyrë u hodh në erë Skerdilajd Konomi, gjyqtar në Vlorë.

Në korrikun e këtij viti në Tiranë, u ekzekutua në mënyrë misterioze Sokol Doci. 33-vjecari u vra në orën 1 pas mesnate, në afërsi të shkollës “1 Maji” në Tiranë.

Po në të njëjtën mënyrë misterioze pak ditë më parë u ekzekutua, Arjan Selimi. Ky i fundit, një personazh i njohur në botën e trafikut të drogës në kryeyqytet.

Në të gjitha rastet policia pretendoi se kishte të dhëna në lidhje me zbardhjen e këtyre ngjarjeve, por më pas nuk rezultoi asgjë.

Për të gjitha ngjarjet e rënda, refreni gjithmonë ka qenë: “po zhvillohen hetime intensive, shumë shpejt do të kapen autorët”. C’ka ka ndodhur rallë.

Ajo që ka ndodhur më shpesh është se policia në raste të tilla ia hedh fajinj prokurorisë. Vetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë një seance dëgjimore në komisionin e sigurisë, u shpreh se i janë dhëna prova organit hetimor për ngjarjet e rënda.

Ai përmendi disa raste kur vrasjet dyshohen se mund të kenë edhe karakter politik, si ajo e deputetit Xhindi apo e kryetarit të komunës së Terthorës.

Drejtoria e përgjithshme e policisë ka sipas statistikave 84 për qind të zbulimit të vrasjeve, por këtë përqindje të lartë vetëm për matematikë, ia përmbush shpesh herë fakti që një pjesë e madhe e vrasjeve në vend janë krime në familje.

Policia shqiptare nuk ka zbuluar të paktën 12 vrasje të rënda gjatë këtij viti, të cilat kanë tronditur opinionin publik.

Top Channel