Pritet ulja e interesave

28/09/2011 00:00

Banka e Shqipërisë pritet të ulë të enjten normën bazë të interesit me
0.25 pikë përqindje duke e cuar kështu sërish në nivelin e ulët historik
prej 5 për qind.

Top Channel ka mësuar se ekspertët e bankës mendojnë se ndalja e rritjes së cmimeve në muajt e fundit ka krijuar kushtet që banka t’i japë një stimul të ri ekonomisë, e cila vazhdon të mbetet nën potencialin dhe me ritme të ngadalta.

Në gusht rritja vjetore e cmimeve sipas INSTAT zbriti në 3.1 për qind pranë nivelit optimal të synuar, shumë më poshte nga sa ishte në muajt e parë kur kaloi edhe 4.5 për qind. Nga ana tjetër ulja e normës bazë synon të rrisë qarkullimin e parasë në ekonomi përmes nxitjes së investimeve dhe konsumit. Ekonomia shqiptare po kalon një situatë ku agjentët ekonomik kryesisht qytetarët po priren drejt kursimeve dhe kanë ulur konsumin dhe investimet.

Në këtë pikë ulja e normës bazë synon dy efekte. Së pari tenton t’i bëjë më pak të leverdishme kursimet, pasi nësëe ulet norma bazë edhe interesat e depozitave bien. Dhe së dyti të nxisë investimet dhe konsumit përmes interesave më të ulëta për kreditë.

Top Channel