KE: Shqipëria njësoj si Bosnja

28/09/2011 19:50

Këtë vit Kroacia kryeson listën e Ballkanit si nxënës i shkëlqyer. Komisioni Europian vlerëson nivelin e lartë të përgatitjes së vendit për të qenë anëtare në BE, sic pritet në 1 korrik 2013, megjithëse monitorimi do të vijojë edhe pas anëtarësimit për cështjet e brendshme, gjyqësorit, liritë themeltare dhe konkurrencën.

“Kroacia ka arritur një nivel shumë të lartë përgatitjeje për të marrë përsipër përgjegjësitë për anëtarësim”, vlerëson KE.

Maqedonia, e cila gëzon statusin e vendit kandidat prej gati 6 vitesh, mbetet e bllokuar për celjen e negociatave të anëtarësimit nga Greqia për cështjen e emrit, pavarësisht 3 rekomandimeve pozitive të Komisionit.

Dokumenti konfidencial vlerëson se Shkupi duhet të forcojë përpjekjet në disa fusha të kriterit politik.

“Përpjekje të mëtejshme nevojiten, në vecanti për pavarësinë e gjyqësorit, reformës në administratën publike, luftës ndaj korrupsionit dhe lirisë së shprehjes e medias”, thuhet në dokument.

Mali i Zi renditet gjithashtu përkrah vendeve të rajonit që përparuan këtë vit. Pasi fitoi statusin kandidat vitin e kaluar, ai pret rekomandimin pozitiv të Komisionit për celjen e negociatave të anëtarësimit, si dhe vizitën e komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, në Podgoricë të nesërmen e ditës së publikimit të progresraporteve.

Dokumenti vlerëson pozitivisht në përgjithësi përmbushjen e 7 prioriteteve kyce, por në dy prej tyre Komisioni nuk duket fort i kënaqur.

“Komisioni do t’i kushtojë vëmendje të vecantë monitorimit të progresit të Malit të Zi në fushat e sundimit të ligjit dhe anti-diskriminimit, me qëllim mbajtjen e ritmit të reformave në këto fusha”, nënvizon KE.

Shqipëria dhe Bosnja përmenden për krizat politike dhe përfshihen si shembuj të nxënësve të dobët të rajonit.

“Në një numër vendesh u vonuan reforma të rëndësishme, shpesh si rezultat i zhvillimeve të brendshme politike dhe konflikteve. Vonesat dhe bllokimet ishin vecanërisht serioze në Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëri. Qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, kapacitetet administrative, papunësia dhe reforma ekonomike mbeten sfida madhore në shumicën e vendeve. Ka patur një numër zhvillimesh shqetësuese në fushën e lirisë së shprehjes në media”, theksohet në dokument.

Kosova kritikohet për zgjedhjet, mungesën e reformave, administratën e dobët e gjyqësorin. “Pas zgjedhjeve të parakohshme dhe atyre për presidentin nga Parlamenti, pak progres zuri vend përsa i takon axhendës së reformave. Zgjedhjet në vetvete shënuan parregullësi serioze që duhen adresuar, thuhet në dokument.

Ndërsa ende nuk dihet nëse vendi do të nisë apo jo dialogun e vizave dhe të vendosë marrëdhëniet tregtare me BE-në, zhvillimet e fundit në veri të Kosovës përmenden me shqetësim në dokumentin paraprak të Strategjisë së Zgjerimit.

Qëndrimi i Beogradit së fundmi në procesin e dialogut me Prishtinën mund të ndikojë në vlerësimet e Brukselit për t’i dhënë ose jo vendit statusin kandidat, pavarësisht vlerësimeve pozitive për ekonominë, gjyqësorin dhe dorëzimit të dy kriminelëve të luftës në Hagë.

Për këtë cështje, Komisioni duhet të bindë ende dy vendet anëtare skeptike, Holandën e Gjermaninë. Të premten e ardhshme, shefat e kabineteve diskutojnë në Komision mbi Strategjinë e Zgjerimit, e cila finalizohet në mbledhjen e 6 tetorit nga Kolegji i Komisionerëve, për t’u shpërndarë më pas, bashke me raportet e vecanta të progresit për secilin vend, më 12 tetor.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel