HEC-et, denoncimi i Top Channel

28/09/2011 21:15

Top Channel ishte i pari që denoncoi dështimin me koncesionet e hidrocentraleve, ku kompanitë fituese të licencave nuk po zbatonin kontratat në pjesën dërrmuese të tyre, duke mbajtur pezull licencat dhe pasurinë kombëtare.

Në 14 tetor të vitit të kaluar Top Channel bëri publik një raport zyrtar të përgatitur nga ekspertët e Ministrisë së Energjitikës, që u ngarkuan për të mbikëqyrur se si po zbatoheshin kontratat koncesionare.

“Në 5 vitet e mandatit të saj qeveria shqiptare ka dhënë më shumë se 90 kontrata koncesionare hidrocentrale të vogla dhe të mesme, të cilat parashikojnë ndërtimin e më shumë se 220 HEC-eve. Sipas afateve, deri tani duhet të kishin përfunduar të paktën 45 prej kontratave, por realisht deri tani kanë mbaruar vetëm 6 prej tyre. Me një vendim të datës 16 qershor, vendosi të shtyjë afatet për mbi 85 për qind të kontratave. Një zgjidhje e detyruar kjo, sepse shumica e koncesioneve tashmë ishin të paligjshme dhe nëse do të zbatonte ligjin pikë për pikë duke prishur kontratat përkatëse qeveria praktikisht duhet të pranonte dështimin”, denoncoi TCH.

Në atë kohë nuk pati asnjë reagim zyrtar nga kryeministri, vec disa deklaratave spontane të ish-ministrave të Ekonomisë, të cilët kur merrnin postin premtonin mbikëqyrje të fortë të koncesioneve dhe ndëshkimin e atyre që kishin abuzuar.

Sërish Top Channel vazhdoi të nxirrte fakte të reja që dëshmonin se koncesionet në hidrocentrale në vend të kilovat/orëve të energjisë po prodhonin afera zyrtarësh dhe dosje pafund hetimore.

“Nëse koncesionet do të kishin zbatuar afatet, prodhimi i energjisë në vend duhet të ishte rritur tani minimalisht me 1.3 miliardë kilovat/orë në vit, që me cmimet e tregut do të thotë rreth 70 milionë euro prodhim në vit. Së dyti, nga mungesa e kësaj energjie, buxheti i shtetit humbet mbi 20 milionë euro të ardhura, shumë kjo e barabartë gati me shpërblimin e fundvitit të pensionistëve. Por kosto nuk janë vetëm para të munguara. Ndërtimi i këtyre HEC-eve duhet të kishtë hapur mijëra vende të reja pune në një ekonomi që vuan nga papunësia e lartë. Por, të gjitha këto edhe tani pas pesë vjetësh mbeten vetëm objektiva, sepse rezultati i prodhuar është ai i dosjeve në zyrat e prokurorisë”, denoncoi TCH më 17 janar 2011.

Menjëherë, vetëm pak ditë më vonë në një intervistë në emisionin “Opinion”, kryeministri mohoi ngërcin duke deklaruar se investimet në HEC-e po vazhdonin me ritme të larta dhe dhjetëra prej tyre ishin duke u ndërtuar.

E gjendur përballë një sfide politike të parealizuar, qeveria duket se e kishte të vështirë ta pranonte faktin se koncesionet kishin deshtuar.

Procesi që kishte nisur që në vitin 2007, zvarritej pa fund dhe qeveria shtynte afatet për kompanitë që kishin dalë jashtë tyre.


U desh edhe një vit tjetër, që kryeministri të pranonte
në fund se dhjetëra kompani që kanë fituar licencat koncesionare për ndërtimin e mbi 240 hidrocentraleve kanë dalë jashtë afateve, këtë herë duke kërcënuar publikish heqjen e licencave.

Tani mbetet për t’u parë nëse qeveria këtë herë e ka seriozisht dhe është e vendosur t’i shkojë deri në fund për të zgjidhur përfundimisht ngërcin që po mban peng miliarda kilovbatë/orë energji dhe qindra milionë euro të munguara për ekonominë.

Top Channel