Hipoteka nis rivlerësimin e pronave

27/09/2011 08:00

Ashtu si tatimet, doganat dhe bankat, edhe zyrat e regjistrimit të pronave (hipotekat) janë pjesë e procesit të amnistisë fiskale, ligji i cili ka nisur të zbatohet në muajin maj, por rezultatet konkrete po shfaqen këto ditë.

Burimet zyrtare nga zyra qendrore e regjistrimit bëjnë të ditur për gazetën “Shqip” se ka nisur faza e aplikimit për rivlerësimin e pronës së paluajtshme, kundrejt pagesës së tatimit prej 1 për qind, nga 10 për qind që ishte në ligjin e vjetër.

Ishin vetë ndërtuesit që e kërkuan këtë normë tatimi pasi skema e kaluar konsiderohej e papërballueshme në aspektin financiar.

Sipas ligjit të vjetër, diferenca mes blerjes së apartamentit dhe shitjes së tij, tatohej me 10 për qind, ndërsa me amnistinë, një rivlerësim i pronës ‘kushton’ 1 për qind.

Për apartamentet që janë privatizuar në fillim të viteve ’90 apo për ato që janë blerë herët, kjo pagesë do të rezultonte shumë e lartë.

Për rrjedhojë, kjo taksë i favorizon shumë më tepër këtë kategori apartamentesh, ku nga 500 apo 600 mijë lekë taksë që paguanin më parë, do paguajnë 10 herë më pak.

Çmimet e apartamenteve bazohen te lista referencë për metër katrorë, nga e cila del edhe detyrimi i ri për të paguar.

Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe të regjistruar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, kanë të drejtë që brenda datës 31 dhjetor 2011, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.

Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme është si më poshtë.

Hiqen taksat për hipotekimin e pallateve

Kushti që mbante pezull pjesën dërrmuese të ndërtimeve në procesin e regjistrimit është hequr dhe tashmë pritet të vërshojnë pranë hipotekave dosjet e shumta të pallateve.

Sipas gazetës ‘Shqip’, marrëveshja e firmosur pak ditë më parë, mes kreut të Bashkisë së Tiranës, ministrit të Transporteve dhe atij të Drejtësisë, ka liberalizuar pothuajse procesin e hipotekimit të objekteve.

Mësohet se në zyrën e regjistrimit të Tiranës janë aktualisht 130 objekte që janë paraqitur për regjistrim, me leje shfrytëzimi, por që nuk ishin regjistruar, për shkak të problemeve me detyrimet tatimore dhe lejet.

Një ndërtues nuk mund të hipotekonte objektin në rast se nuk paraqiste pranë zyrës së regjistrimit vërtetimin e pagesës së taksave. Ky proces zgjaste me muaj dhe kthehej në makth për subjektin, ndërsa dokumentacioni sa i takon lejes së ndërtimit, kontratës me pronarët apo ajo e shfrytëzimit ishte në rregull.

Por në një urdhër të kryeregjistruesit, në marrëveshje me Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Drejtësisë, i ka hapur rrugë hipotekimit pa qenë nevoja të jepet më parë vërtetimi nga tatimet për taksat e paguara. Megjithatë, projektligji duhet të kalojë më parë në Kuvend, pasi të ketë marrë edhe konsensusin final të ministrit të Financave.

“Duke parë që një pjesë e mirë e qytetarëve nuk kanë në duar një titull pronësie, për ta kapitalizuar pronën më vonë nëpërmjet shitjes apo për ta përdorur si garanci, u pa e nevojshme që të lehtësohen barrierat teknike për regjistrim, falë një vullneti qeveritar dhe lokal”, u shpreh kreu i zyrës së regjistrimit të pronave të paluajtshme, Arben Qirjako.

Sakaq, ndërtuesit e mbështesin marrëveshjen e fundit, që sipas tyre do të çlirojë me miliarda euro për ekonominë. Drejtues të shoqatës së ndërtuesve shprehen se pakti i tri institucioneve zgjidh problemin e mbartur prej vitesh dhe prek interesat e 400 firmave të ndërtimit dhe të 30 mijë familjeve.

Shoqata ka bërë disa përllogaritje, ku rezulton se regjistrimi i pallateve të reja do të fusë në treg një vlerë pasurie prej 2 miliardë eurosh, ndërsa shpresojnë se regjistrimi me rregullin e ri do të nisë në fillim të muajit nëntor.

“Ky proces është shumë i rëndësishëm, i jep fund privimit të padrejtë nga titulli i pronësisë për mijëra familje dhe qytetit, nga një shumë deri në 700 milionë euro, një shumë kolaterale që përfaqësojnë këto apartamente të pahipotekuara”, pati deklaruar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, pak para firmosjes së marrëveshjes me dy ministrat.

Biznesi: Amnistia dështoi

Biznesi deklaron se ligji i faljes në formën që e miratoi qeveria nuk e përmbush qëllimin kryesor të tij, atë të deklarimit të kapitaleve, ndaj i kërkon qeverisë të marrë masa, që amnistia të mos dështojë.

“Ka shumë punë për të bërë, Ministria e Financave, duhet të mbledhë të gjithë aktorët në mënyrë që ligji të marrë qasjen e sipërmarrësve, që të kenë siguri për të qenë subjekt i tij”, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.

Dhoma e Tregtisë ishte një nga nismëtarët kryesorë të hartimit të ligjit për Amnistinë Fiskale. Por qeveria nuk e pranoi plotësisht draftin e propozuar nga biznesi, duke ndryshuar nenin që kishte të bënte me garancitë.

Që nga ajo kohë, qëndrimi i biznesit ndaj procesit ka qenë gati indiferent dhe shifrat e deklarimeve flasin për pjesëmarrje të vakët.

“Ne nuk kemi statistika se në c’nivel është zbatimi i ligjit, sepse Ministria e Financave nuk i ben publike periodikisht, por skepticimi yne e ka shoqeruar miratimin dhe implementimin e këtij ligji”, tha Jaka.

Por ndërsa shpreh rezerva të forta për pjesën e garancisë mbi kapitalet e deklaruara, kreu i Dhomës se Tregtisë ka përshëndetur nismën e Bashkisë së Tiranës, për zhbllokimin e ngërcit të hipotekave për 400 pallate në Tiranë.

Bankat: Amnistia fiskale, një zhgënjim

Një tjetër sinjal negativ i amnistisë fiskale vjen nga vetë sektori bankar, aty ku parashikohej legalizimi i shumave të konsiderueshme, kundrejt pagesës 3 për qind, që shkonte për buxhetin e shtetit.

“Edhe pse i morëm të gjitha masat, trajnuam stafet dhe qëndruam në gatishmëri, pakkush u kujtua të legalizonte të ardhurat e padeklaruara. Të shohim çfarë do të ndodhë për tre muajt e mbetur të vitit”, shprehen burime pranë Shoqatës së Bankave për gazetën ‘Shqip’.

Sa u takon të dhënave, është vështirë të raportohen në kohë reale për shkak se në vend operojnë rreth 530 degë dhe agjenci bankare. Megjithatë, informacionet paraprake tregojnë për një zhgënjim të vërtetë. Ashtu si biznesi, edhe sektori bankar në vend e shikon përgjegjësinë te vetë shteti, i cili nuk ndërmori asnjë fushatë sensibilizuese për të informuar opinionin publik.

Shoqata e bankave thotë se në media u prezantua për disa ditë një spot gjatë muajit korrik, por nuk pati rezultat. Nëse në tre muajt e verës, aty kur emigrantët vizitojnë masivisht vendin e tyre, nuk u ofrua asgjë konkrete, për pjesën e mbetur të vitit shanset paraqiten negative. 

Top Channel