Bulqizë, një minator braktis grevën

27/09/2011 09:20

Një nga minatorët grevistë në Bulqizë është detyruar të braktisë grevën e urisë.

Sipas informacioneve të fundit, minatori Sali Aliu është larguar nga greva pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Burime nga ambjentet e grevës bëjnë të ditur se Aliu është dërguar për ndihmë në spitalin e Burrelit.

Greva e minatorëve ka hyrë ndërkohë në ditën e nëntë të saj, ndërkohë që mbahet edhe një tubim në formë proteste.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Taf Koleci përsëriti të hënën kërkesën e minatorëve për largimin nga puna të drejtorit të minierës së Bulqizës, Medat Zogu, i cili sipas tij, ka kryer shkelje.

Zogu: Kërkesa për largim, fyese

Drejtori i minierës së Bulqizës, Medat Zogu reagoi duke deklaruar se pas veprimeve të sindikatës ka interesa personale. Ai e konsideroi kërkesën e minatorëve për largimin e tij si të turpshme dhe fyese.

“Greva është e pamotivuar pasi minatorët kanë një kontratë kolektive me sindikatën. Megjithatë, ACR i mori në konsideratë kërkesat e minatorëve, por fatkeqësisht pala tjetër vazhdoi të luante duke nxjerrë kërkesë pas kërkese”, tha Zogu.

Nikolla: Zogu ka keqmenaxhuar minierën

Por kryetari i sindikatës, Kol Nikolla ritheksoi se Zogu ka keqmenaxhuar drejtimin e minierës.

“Për 11 muaj ai e ka keqmenaxhuar minierën e Bulqizës. Ai nuk ka menaxhuar marrëdhëniet kontraktuale të punëtorëve me kompaninë ACR”, deklaroi Nikolla.

Ai shtoi se greva do të vazhdojë dhe janë 6 kërkesa dhe jo 12 sic pretendohet nga drejtori i minierës.

Top Channel