Pavarësisht vlerësimeve të ndryshme nga FMN, Banka Botërore, apo BERZH, qeveria shqiptare vijon me të sajën sa i takon rritjes ekonomike.

Vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, në takimin e zhvilluar në SHBA, me drejtues të BB-së, u ka bërë të ditur atyre se për këtë vit rritja ekonomike (PBB-ja) parashikohet të jetë 4 për qind.

Ministri, në takimin me zv/presidentin e Bankës, Philip Le Houerou dhe Jane Armitage, Drejtore për Europën Juglindore, deklaroi se:

“Shqipëria vazhdon të ketë një ritëm të kënaqshëm ekonomik si rrjedhojë e reformave të qeverise, duke përballuar presionet dhe goditjet që vijnë nga kriza ekonomike botërore”.

Lidhur me parashikimin optimist të rritjes ekonomike, kreu shqiptar i Financave, e mbështeti tek ambienti ekonomik pro biznes, dominuar nga politikat e taksave të ulëta, përmirësime dhe reforma strukturore e ligjore.

Nga ana e tij, zv/presidenti i BB-së, theksoi se banka do të vazhdojë të mbështesë projektet dhe investimet në sektorët kyçë të ekonomisë, në veçanti infrastrukturën, sektorin social (arsim dhe shëndetësi) etj.

Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

FMN pesimiste për Shqipërinë

Fondi Monetar ka përkeqësuar vlerësimet për ekonominë shqiptare duke ulur pritshmërinë për rritjen ekonomike të këtij viti në 2.5 përqind.

Në fillim të vitit Fondi priste një rritje ekonomike prej 3.4 përqindësh për Shqipërinë, por në qershor e korrektoi atë fillimisht në 2.7 përqind dhe tani vlerësimi më i fundit është që rritja e prodhimit kombëtar për 2011 do të jetë vetëm 2.5 përqind.

Prej dy vitesh tashmë Shqipëria jo vetëm nuk është më vendi me rritjen më të lartë ekonomike në rajon, por përkundrazi prodhimi kombëtar po rritet më pak se sa mesatarja e vendeve përreth.

Në vitin 2010 ekonomia e vendeve të Europës Qëndrore dhe asaj Lindore u rrit me 4.5 përqind, ndërsa në Shqipëria shifra ishte 3.5 përqind.

Këtë vit, sipas parashikimeve të FMN, rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë 1.8 pikë përqindje më e ulët se sa mesatarja e rajonit, ku për disa vende si Turqia, Lituania, Letonia dhe Kosova shifra e rritjes do të luhatet nga 5-6 përqind.

Qeveria pranon realitetin

Qeveria është detyruar të pranojë se ekonomia ka ngadalësuar rritjen dhe nuk do i rikthehet më ritmeve të parakrizës, të paktën jo në periudhë afatshkurtër.

Pasi u detyrua të ulë vlerësimin e rritjes ekonomike për këtë vit nga 5.5 në 5 përqind, në kuadrin e sapomiratuar makroekonomik dhe fiskal, qeveria ka korrigjuar në ulje edhe ritmet e rritjes për tre vitet e ardhshme.

Sipas dokumentit, në vitin 2012 rritja do të jetë 5 përqind nga 6 që ishte parashikimi i fillimit të vitit.

Edhe në vitin 2013 rritja është ulur me 1.2 pikë përqindjeje dhe nga 6.2 shkon në 5 përqind. Për vitin 2014 vlerësimi është ulur nga 6 përqind në 5.2 përqind.

Sërish variantet e qeverisë tentojnë të jenë më optimiste nga realiteti. Këtë vit qeveria deklaroi fillimisht një rritje ekonomike prej 5.5 përqind, pavarësisht kundërshtive të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Por pas ecurisë së ngadaltë në gjysmën e parë të vitit, në korrik shifra u ul në 5 përqind, kur qeveria u detyrua të ndërhynte për të rishikuar buxhetin. Edhe varianti 5 përqind duke optimist.

Banka e Shqipërisë një muaj më parë deklaroi se vlerësimi i saj, bazuar në zhvillimet e gjysmës së parë të vitit është që ekonomia të rritet nga 3 deri në 4 përqind, ashtu si vitin e kaluar.

Tkurrja e rritjes ekonomike do të thotë se të ardhurat e familjarëve në total do të rriten më ngadalë nga ritmi i tyre normal përpara krizës.

Por përveç kësaj ngadalësimi i ekonomisë cënon edhe financat publike duke e bërë më të vështirë uljen e borxhit publik, të cilin qeveria në vitin zgjedhor 2013 parashikon ta çojë në 58.6 përqind, ose 0.2 pikë përqindje më shumë nga fundi i vitit të kaluar edhe pse ishte angazhuar në publik për uljen e tij.

Top Channel