Administrata niset me pushime

26/09/2011 00:00

Qeveria ka nisur t’u marrë mbrapsht me detyrim të gjtha paratë që ishin
dhënë për ata nëpunës që nuk nuk bënë lejen vjetore, vitin e kaluar, 
por qëndruan në punë në këmbim të pagës mujore.

Ky veprim i qeverisë është parashikuar në vendimin që ajo ka marrë në korrik të këtij viti. Pavarësisht se pagesat në fjalë i përkasin lejeve të vitit 2010, buxhetorët po detyrohen t’i kthejnë pagesat dhe në këmbim do të kompensohen me leje shtesë gjatë këtij viti.

Nëpër ministri apo institucione të tjera, punonjësve pagesat po u mbahen me këste nga rroga e tyre mujore, deri në kthimin e plotë të tyre. Praktika e konvertimit të lejeve në punë me pagesë në administratën publike ekziston që nga viti 2002 në bazë të një vendimi të atëhershëm të ish-qeverisë socialiste.  Prej gati dhjetë vjetësh punonjësit e administratës nëse u kërkohej nga titullarët e institucioneve ose në dakordësi me ta mund të konvertonin ditët e ligjshme të pushimit në ditë pune kundrejt pagesës respektive shtesë. Në disa raste kjo kërkohej nga vetë punonjësit, ndërsa në raste të tjera ishin titullarët që i mbanin ata në punë. Të gjithë ata që e ndoqën atë edhe vitin e kaluar tani po kthejnë lekët mbrapsht.

Vendimi i qeverisë, që detyron punonjësit të kthejnë lekët e pushimeve vjetore të pakryera vitin e kaluar dhe kompesimin e tyre me leje shtesë gjatë këtij viti bie ndesh me Kodin e Punës më saktësisht nenin 93 të tij. Në pikën 3 të këtij neni thihet se  leja vjetore nuk mund të kryhet më vonë se sa tremujori i parë i vitit pasaardhës, që për rastin në fjalë përkon me marsin e vitit 2011.

Vendimi i qeverisë, është një akt nënligjor dhe në hierarkinë juridike sipas ekspertëve qëndron poshtë ligjeve dhe aq më tepër kodeve, të cilët miratohen me shumicë të cilësuar pra 3/5 e votave në kuvend. Vendimi në fjalë është bazohet në dy ligje, atë me numër 9936 për menaxhimin e sistemit buxhetor në republikën e Shqipërisë dhe ligjin tjetër 10 mijë e 355 për buxhetin e vitit 2011, por anashkalon Kodin e Punës, i cili sanksionon qartësisht se pushimet vjetore duhet të jepen gjatë vititi të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës.  

Top Channel