Embargo ndaj Serbisë, përfiton Shqipëria

24/09/2011 08:00

Konflikti tregtar mes Kosovës dhe Serbisë ka sjellë përfitime për ekonominë shqiptare.

Embargoja e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake rriti prezencën e produkteve shqiptare, të cilat në muajin gusht, krahasuar me një muaj më parë pësuan rritje me rreth 46 për qind.

Gazeta “Shqip” citon INSTAT që raporton se ndaj Kosovës janë eksportuar kryesisht materiale ndërtimi, duke zbutur në një farë forme deficitin tregtar, i cili gjithsesi mbetet ende i lartë.

Në muajin gusht drejt shtetit fqinj janë eksportuar mallra me vlerë 1.6 miliardë lekë, kurse gjatë gjithë 8-mujorit pesha e tyre zë rreth 8.7 miliardë lekë, me rritje 37 për qind në raport me një vit më parë.

Kosova vendosi të mos lejonte hyrjen e mallrave serbe për aq kohë sa vet ky shtet nuk pranonte produktet kosovare me vulën e autoriteteve doganore të Prishtinës.

Konflikti zgjati rreth dy muaj, nga ku u mundësua një përfitim për vendin tonë. Megjithatë, ekspertët thonë se përfitimi duhet të ishte akoma edhe më i madh, por problemet me taksat në doganë kanë ulur zgjerimin e shkëmbimit tregtar.

INSTAT raportoi dje të dhënat në tërësi për tregtinë me jashtë për të gjitha mallrat dhe me të gjitha vendet e botës.

Statistikat tregojnë se në gusht 2011 u eksportuan 13,4 miliardë lekë mallra, me ulje 24.7 për qind në krahasim me korrik 2011, por rritje me 38.2 për qind në krahasim me gushtin e vitit të kaluar.

Sa i takon importeve, u importuan rreth 44,7 miliardë lekë mallra, me ulje 6.3 për qind në krahasim me korrik 2011 dhe rritje 11 për qind në krahasim me vitin 2010.

Si përfundim, deficiti tregtar i këtij muaji arriti në 31,3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej gati 5 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 2.4 për qind krahasuar me gusht 2010.

Në total, si 8-mujor, deficiti arriti në 270 miliardë lekë, duke kërcënuar kështu ekonominë. Tregtia me vendet e BE-së u regjistrua në nivelin e 63.1 për qind. INSTAT thekson se partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.

Më konkretisht, me Italinë eksporti është 45.5 për qind dhe importi 30.8 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 5.4 për qind dhe importi 10.6 për qind.

Këto dy vende janë duke përjetuar periudha të vështira ekonomike, aq sa diskutohet falimentimi. Kjo situatë nuk favorizon aspak vendin tonë, i cili ka lidhje të forta tregtare me këto dy vende. INSTAT thotë se, disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë për eksportin, Austri, Belgjikë, Gjermani, Kinë, Kosovë etj., dhe për importin, Austri, Kinë, Kosovë, Rusi, Turqi etj.

Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup-mallrat tregon se eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 6.5 për qind; eksporti i grupit “Tekstile dhe këpucë” u ul 40.7 për qind; “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u ul 37.5 për qind; “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 35 për qind etj.

Sa i takon importit, grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit me 34.8 për qind; “Ushqime, pije, duhan” u rrit 0.5 për qind.

Importi i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 55.5 për qind, kurse “Tekstile dhe këpucë” u ul me 41.6 për qind.

Në gusht 2011, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën e rreth 10 miliardë lekë, duke zënë gati 22.4 për qind ndaj totalit të importit.

Krahasuar me korrik 2011, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 39.9 për qind. INSTAT thekson se, peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara, 82.1 për qind, e zënë nënproduktet e naftës.

Top Channel