Teknologjitë për trashëgiminë

23/09/2011 23:40

Përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për një trashëgimi kulturore të qendrueshme është forumi që u organizua nga drejtuesit e periodikut “Art dhe Trashëgimi” me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe asaj për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit.

Qëllimi i forumit ishte evidentimi i teknologjive të reja për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore shqiptare, por edhe mënyrat e administrimit dhe mbrojtjes së tyre.

Të pranishëm mes të tjerësh, ministrat Bumçi dhe Pollo, Shefi i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi dhe përfaqësues shtetërore e privatë të fushës.

“Kemi një sfidë që duhet ta zgjerojmë turizmin edhe në shtrirje kohore, gjatë gjithë vitit, por edhe në shtrirje gjeografike, jo vetëm në bregdet. Trashëgimia kulturore është mjeti për të tërhequr turistë edhe në shtator, edhe në tetor, edhe në prill, edhe në maj, por jo vetëm në bregdet, por edhe në Berat, Shkodër, kudo që ka trashëgimi që është kudo në Shqipëri”, tha ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.

“Kemi një strategji të shoqërisë së informacionit e cila për pjesën e kulturës parashikon ngritjen e shumë portaleve që lidhen me pasuritë tona kulturore, me trashëgiminë, me ndërtimin e hartave dixhitale për sitet arkeoligjike shqiptare, e kështu me radhë. Kjo përbën vetëm një kuadër që mund të plotësohet me shumë projekte që do shërbejnë në dy drejtime; të ruajmë atë që kemi dhe ta ekspozojmë atë”, tha Ministri i Inovacionit, Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo.

“Teknologjitë e reja kanë sjellë trashëgimitë kulturore dhe historike më pranë dhe kanë bërë në mënyrë konstante që kultura të ndryshme të jenë më të kuptueshme për njëra-tjetrën”, tha në fjalën e tij, përfaqësuesi i BE-së, Ettore Sequi.

Përfaqësues privatë sollën eksperiencat dhe angazhimet e tyre në mbrojtje të trashëgimisë. Mes të tjerësh, inxhinieri i projektimit vizual Paolo Buroni, që në Itali ka realizuar bibliotekën virtuale të Urbinos dhe afreskë dixhitale në muzeun e Rafaello-s.

Ndërsa Mark Green, drejtor i firmes britaniko-shqiptare “Kevitan” që merret me sigurimin nëpërmjet pajisjeve të teknologjisë së lartë, rrëfeu pjesë të punës së kësaj firme në Parkun Arkeologjik të Butrintit. Sistemi i përdorur është ai CCTV.

“Nëse shikoni terrenin e Butrintit, ai është shkëmbor dhe me nivele të ndryshme dhe mund të jetë shumë e vështirë që të mbulosh me një sistem CCTV këtë ambjent dhe ne vendosëm që të përdornim rrjetin wireless. Pra vendosëm kamera pa krijuar kështu probleme me kabllot. Siti mund të mbulohet nga nje vendndodhje qendrore e kamerave dhe më pas mund të monitorohet nga cdo vend që ka akses për ta bërë këtë. Pra vizitorët mund të hyjnë edhe nëpërmjet një website për ta parë Butrintin, kudo që ata janë”, tha drejtori i ”Kevitan”, Mark Green.

Nëpërmjet teknologjive, përpos mbrojtjes, sigurisht kërkohet që edhe të rritet interesi për trashëgimine kulturore.

Top Channel