Shqiptarët rrudhin kuletat

23/09/2011 00:00

Në gjysmën e parë të vitit importet e mishit dhe nënprodukteve të tij ishin në sasi 12 për qind më të ulëta se një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në janar qershor të këtij viti Shqipëria importoi 2600 tonë mish të gatshëm më pak se sa gjashtëmujori i parë i vitit të kaluar.

Rënie ka edhe në importin e kafshëve të gjalla, por edhe në një grup tjetër artikujsh që dogana i klasifikon si produkte të mishit. Shifrat tregojnë se kjo është hera e dytë që nga viti 2007 kur importet e mishit ulen. Hera e parë ishte në vitin 2009, atëherë kur kriza goditi për herë të parë ekonominë shqiptare. Përgjithësisht në vendet me të ardhura të ulëta struktura e konsumit tenton të ndryshojë më shpejt ndaj goditjeve që pëson ekonomia.

Nëse të ardhurat ulen, konsumatorët e orientojnë konsumin e tyre nga ushqimet e shtrenjta drejt atyre më të lira. Të dhënat tregojnë se importet e drithërave në 6 muajt e parë të vitit u rritën për të dytin vit rresht. Ministria e Bujqësisë thotë se rreth 65 për qind e nevojave për ushqim përballohet nga prodhimi vendas, i cili vitet e fundit në total ka qenë në rritje.

Por, ndryshe nga tendenca e përgjithshme, prodhimi i mishit, jo vetëm që nuk është rritur, por ka patur tendencë në rënie. Për shkak të të ardhurave të pakta, Shqipëria është një vend me konsum relativisht të ulët të mishit për frymë, nëse krahasohet me ekonomitë më të zhvilluar. Sipas  organizatës botërore të ushqimeve një shqiptar konsumon mesatarisht 44 kilogram mish në vit, dy herë më pak se  se Italia dhe Greqia fqinje. Nëse shifrat ruajnë tendencën deri në fund të vitit, gjasat janë që konsumi i pakët i mishit për frymë të ulet edhe më shumë këtë vit si rrallëherë më parë.      

Top Channel