FMN pesimiste për Shqipërinë

20/09/2011 20:10

Fondi Monetar ka përkeqësuar vlerësimet për ekonominë shqiptare duke ulur pritshmërinë për rritjen ekonomike të këtij viti në 2.5 përqind.

Në fillim të vitit Fondi priste një rritje ekonomike prej 3.4 përqindësh për Shqipërinë, por në qershor e korrektoi atë fillimisht në 2.7 përqind dhe tani vlerësimi më i fundit është që rritja e prodhimit kombëtar për 2011 do të jetë vetëm 2.5 përqind.

Prej dy vitesh tashmë Shqipëria jo vetëm nuk është më vendi me rritjen më të lartë ekonomike në rajon, por përkundrazi prodhimi kombëtar po rritet më pak se sa mesatarja e vendeve përreth.

Në vitin 2010 ekonomia e vendeve të Europës Qëndrore dhe asaj Lindore u rrit me 4.5 përqind, ndërsa në Shqipëria shifra ishte 3.5 përqind.

Këtë vit, sipas parashikimeve të FMN, rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë 1.8 pikë përqindje më e ulët se sa mesatarja e rajonit, ku për disa vende si Turqia, Lituania, Letonia dhe Kosova shifra e rritjes do të luhatet nga 5-6 përqind.

Top Channel