Tiranë, vendosen matësat e ujit

18/09/2011 16:45

Ujësjelllësi i Tiranës ka ndërmarrë një aksion për paisjen me matësa të të gjithë konsumatorëve familjarë.  Kostoja prej 1.800 lekësh e matësit po u faturohet po konsumatorëve.

Drejtues të ujëjsjellësit thanë se procesi do të vazhdojë në të gjithë qytetin për t’i dhënë fund abuzimit me ujin. Sipas tyre, shumica e konsumatorëve paguan aforfe, pa ditur sasinë reale të konsumit të ujit, ndërsa një pjesë nuk paguante fare.

Përfundimi i këtij procesi do të disiplinojë përfundimisht marrëdhëniën mes konsumatorit dhe Ndërmarjes së Ujësjellësit.

Por ndërsa po vendosen matësat dhe merren masat për ndërprerjen e ujit konsumatorëve familjarë që nuk paguajnë, në listën e debitorëve ndaj ujësjellësit rezultojnë të jenë institucione shtetërore dhe njësi të pushtetit vendor.

Bashkia e Kamzës dhe 6 komuna të Tiranës janë borxhlinj ndaj Ndërmarrjes së Ujësjellësit pasi nuk kanë shlyer detyrimet që kanë ndaj saj, ndonëse janë furnizuar me ujë të pijshëm.

Bashkia e Kamzës ka një borxh prej 245 mijë dollarë ndaj ujësjellësit duke u pasuar nga Komuna e Farkës me 41 mijë dollarë, Komuna Bërzhitë me 35 mijë dollarë, Komuna Paskuqan me 26 mijë dollarë, e të tjera.

Në një njoftim për shtyp të Drejorisë së Ujësjellësit thuhet se ky instituicon u  detyrua të bëjë publik debitorët pasi edhe pse ishin paralajmëruar disa herë nuk kishin reaguar për të shlyer detyrimet.

Të shtatë institucionet  krijojnë së bashku një debi rreth 500 mijë dollarë ndaj ujësjellësit. Sipas njoftimit një pjesë e mirë e këtyre njësive i kanë lidhur kontratat me ujësjellësin në fund të vitit 2010 dhe deri më sot nuk kanë shlyer asnjë detyrim mujor.

Top Channel