Përkeqësohen financat, bien investimet

17/09/2011 00:00

Bilanci financiar i qeverisë u përkeqësua në gusht pasi të ardhurat nga
taksat gati janë ndalur. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave
tregojnë se muajin e kaluar qeveria mblodhi nga taksat dhe burimet e
tjera 17 milionë dollarë më pak të ardhura se sa plani i shkurtuar i
buxhetit.

Shifra e mosrealizimeve vetëm për muajin gusht ishte më e madhe se sa totali i 7 mujorit deri në korrik. Në total për tetëmujorin deficiti i të ardhurave, pra diferenca mes planit dhe atyre të mbledhura realisht është 32.5 milionë dollarë.

Financat e vendit po kalojnë një periudhë të vështirë. Qeveria i ka duart e lidhura me financat për shkak se borxhi publik i vendit qëndron shumë pranë kufirit 60 për qind, i cili nuk mund të tejkalohet pasi është i vendosur me ligj në parlament. Ndaj për të mbajtur nën kontroll borxhin, qeveria është e detyruar që cdo mosrealizim në të ardhura ta kompensojë duke shkurtuar shpenzimet dhe zëri më i goditur nga shkurtimet është ai i investimeve.

Qeveria nuk shkurton dot pagat, as pensionet ndaj cdo mosrealizim që i vjen nga të ardhurat ul investimet publike. Të dhënat tregojnë se për tetë muajt e parë të vitit investimet ishin 27 milionë dollarë ose 6.1 për qind më pak se sa janë miratuar në buxhetin e shtetit. Të gjitha shkurtimet ndodhën në gusht, ku qeveria investoi vetëm gjysmën e atyre që kishte parashikuar në buxhet.

Vitet e kaluara kanë treguar se sektorët që goditen më shumë kur ka mosrealizime janë ato të arsimit dhe shëndetësisë, që e nisin vitin buxhetor si prioritete dhe përfundojnë me shkurtime drastike. Gjasat janë që qeveria t’i kërkojë sërish kuvendit viston për ndryshime të tjera buxhetore, përmes aktit normativ ashtu sic ka ndodhur rëndom dy vitet e fundit ku buxheti ndryshohet tre herë brenda një viti, në të tre rastet me shkurtime.   

Top Channel