Spahiu: Vrasja e Konomit, një mesazh i qartë

15/09/2011 21:55

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka deklaruar në emisionin “Top Story”, në Top Channel, se vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ishte një mesazh i qartë që kërkohej të jepej nga ekzekutorët.

Ai theksoi se Konomi u vra për cilësinë e tij si gjyqtar dhe denoncoi fenomenin e mosndëshkueshmërisë ndaj dhunuesve të anëtarëve të drejtësisë.

Spahiu ka theksuar se për shumë krime në Shqipëri dihen autorët dhe nuk thuhen asnjëherë, duke bërë përgjegjës për situatën e krijuar të gjithë mekanizmin shtetëror.

“Në çdo lloj rasti edhe sikur të ketë pasur rrethana personale, shumë qartë ai u vra për cilësitë e tija si gjyqtar. Nuk mbaj mend që të ketë ndodhur ndonjëherë një krim i tillë mafioz. Edhe në 1997 kur të gjitha burgjet u hapën, asnjë i burgosur nuk kreu një akt mafioz me këto përmasa ndaj prokurorëve që i kishin dënuar. Nuk mund të lejojmë që Shqipëria të shkojë në të njëjtat rrethana të Palermos të 50 viteve të shkuara. Ishte një sinjal i pastër në mënyrën se si u ekzekutua. Konomi ka qenë një nga gjyqtarët më të mirë, të ndershëm. Në sistemit gjyqësor shqiptar ndonëse ka të korruptuar ka edhe njerëz të ndershëm, siç ishte edhe Skerdilajdi”, deklaroi ai.

“Mesazhi i vrasjes nuk ishte për fëmijët e tij. Nga shtëpia e Skerdilajdit të vish deri në vendin e ekzekutimit duhen 20 minuta dhe mund të ekzekutohej në çdo lloj forme, por ky ishte një mesazh i qartë i dhënë”, tha Spahiu.

“Përgjegjësia kryesore është e gjithë mekanizmit shtetëror, e drejtësisë, e ligjit e shtetit. Është e gjithanshme që përfshinë elementë juridikë dhe politikë. Ne nuk mund të rrimë të heshtim. Shpesh dihen emrat edhe kur nuk dalin autorët”, theksoi nënkryetari i KLD-së.

Minxhozi: Vrasja e Konomit, e dyfishtë 

Analisti Skënder Minxhozi u shpreh se vrasja e gjyqtarit
Konomi ishte një “krim i dyfishtë”.

“Konomi jo vetëm që u vra, por u kthye në viktimën e një
perceptimi publik që ecën me të dëgjuar dhe paragjykon gjyqtarët. Ai është viktimë
e dyfishtë: i marrin jetën dhe paragjykohet si pjesë e sistemit të drejtësisë
ku bënte pjesë”, shprehet Minxhozi.

“Krimi i organizuar në Shqipëri është i rrezikshëm dhe kjo është
shumë shqetësuese. Shqipëria po i afrohet Italisë mafioze të viteve ’70. Krimi
që bëhet në mes të një qyteti të madh në mes të sezonit turistik është i rëndë”,
shton analisti.

Cipa: “Konomi”, akt terrorist 

Aleksandër Çipa, kryeredaktor i gazetës ‘Shqip’,
thekson se vrasja e Skerdilajd Konomit është “një akt i pastër terrorist”.

“Në pikëpamjen kriminalistike ky është një akt terrorist
sepse ndodh në qendrën e një qyteti të madh dhe ku kohë më parë është kryer një
atentat i ngjashëm. Është akt i pastër terrorist, por këto ndodhin kudo, janë
pjesë e kriminalitetit.

“Rasti Konomi është më i veçantë sepse shoqëria është e
acaruar nga gjykatësi që pasurohet, por rasti “Konomi” nuk është ky rast. Ai e
kishte të trashëguar pasurinë dhe këtu qëndron ndryshimi”, shton Çipa.

 

 

Top Channel