Kodi i ri doganor, Bodes i hiqen licencat

15/09/2011 08:00

Komisioni Parlamentar për Ekonominë diskutoi ndryshimet e propozuara nga Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave për kodin e ri doganor.

Ndryshimet paraprake kanë nisur të bëhen rreth dy muaj më parë, kur ministri i Financave, në prani të zyrtarëve të Komisionit Europian, prezantoi projektin e ri.

Sipas variantit të ri, të cilit i referohet gazeta “Shqip”, ministrit Bode i hiqet kompetenca e lëshimit të licencave për agjentët doganorë, duke ia kaluar si funksion Qendrës Kombëtare të Licencave.

Por anëtarët e opozitës në komision kërkuan më shumë kohë për shqyrtimin e varianteve të reja.

“Nuk jemi kundër në parim, por duam që ndryshimet e kodit të vijnë njëherësh të gjitha dhe jo të copëtuara. Nëse thoni që kodi do ndryshojë i tëri, atëherë ta shqyrtojmë të gjithin me seriozitet dhe kujdes”, u shpreh Mimi Kodheli, nënkryetare e komisionit.

Spaho kërkoi mirëkuptimin e deputetëve për miratimin e kodit, si fillimi i reformave të nevojshme për ekonominë e vendit.

Nëse qeveria kërkon miratimin e kodit doganor, atëherë i duhen edhe votat e opozitës, pasi nevojiten 84 vota.

Top Channel