Dollapi: Gjoba për shpërdoruesit e ujit

14/09/2011 12:55

Thatësira dhe shperdorimi i ujit të pijshem nga qytetaret kanë shkaktuar
ndërprerje të furnizmit të banorëve në disa zona të kryeqytetit.
Drejtori i Ujesjelles-Kanalizimeve Sahit Dollapi tha se ka rene ndjeshëm
niveli i ujit në burime, ndaj duhet që të mos e shpërdorojme, pasi nëse
respektohet kjo, banoret e kryeqytetit mund të furnizohen 24 orë pa
ndërprerje.

“Sasia e ujit të prurjeve në këto burime është ulur në nivele minimale, për shkak të thatësirës së tejzgjatur. Ka 5 muaj e gjysmë që nuk kemi patur reshje të vazhdueshme”, tha Dollapi.

Drejtori i Ujesjellesit tha se per abuzuesit do te kete gjoba nga 10 mije deri ne 100 mije leke si per konsumatorin familjar ashtu dhe per bizneset. Persa i perket banoreve ne Unazen e Re, prane Fabrikes se Qelqit, te cilet jane te pajisur me libreza dhe kane paguar parate prane Ujesjellesit, Dollapi tha se ata duhet ta zgjidhin ceshtjen e furnizimit ne komunen te ciles i perkasin.

Mungesë uji në kryeqytet

Për gati dy javë me radhë, disa lagje të kryeqytetit po vuajnë mungesën e ujit. Shumica e zonave që nuk kanë furnizim të rregullt, të paktën për periudhën gusht-shtator, janë brenda vijës së verdhë të kryeqytetit. Banorët kanë bërë disa herë ankesa, dhe Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka dërguar ekspertë për të vëzhguar rrjetin e tubacioneve, por pavarësisht kësaj furnizimi nuk ka qenë i rregullt, sasia e ujit në rrjet ka qenë e paktë edhe në rastet kur uji ka mbërritur në çezma. Po ashtu koha e rrjedhshmërisë së ujit ka qenë e paktë aq sa, me sasinë e mbërritur në rrjet nuk janë mbushur as depozitat publike dhe as ato private me kapacitet të lartë.

Zonat me probleme

Ndër zonat më problematike në kryeqytet nga mesi i muajit gusht e deri tani janë: blloku i pallateve pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, një pjesë e blloqeve të banimit në zonën e ish-Bllokut. Po ashtu problem për gati dy javë mbetet Rruga e Kavajës, zona e pallateve tek ish-Profarma, Kinostudio, lagjja Allias, një pjesë e pallateve te “21 Dhjetori”. Shqetësim për shkak të mungesës së ujit për një kohë të gjatë ka edhe Kombinati, banorët e të cilëve kanë kërkuar ndihmë që të paktën të kenë furnizime me autobote, për të mbushur enët e për të plotësuar kërkesat minimale jetësore.

Mungesa e ujit të pijshëm në të gjithë kryeqytetin, në një kohë kur temperaturat vazhdojnë të jenë të larta dhe nevoja për konsum gjithashtu, ka shkaktuar shqetësim te banorët. Por jo vetëm për banorët, edhe për kopshtet, shkollat që ndodhen në këto lagje.

Të vetmit që kanë shpëtuar nga mungesa janë institucionet shëndetësore, të cilat, sipas ligjit në fuqi, kanë në dispozicion më shumë se një linjë furnizimi, për shkak të rëndësisë së veçantë.

Drejtoria e Ujësjellësit

“Nuk ka asnjë zonë në Tiranë që nuk furnizohet me ujë, por kohët e fundit janë regjistruar edhe probleme teknike, për shkak të ndërhyrjeve dhe sistemimeve që janë realizuar në depot e Tiranës. Megjithatë, sasia e ujit që qarkullon në Tiranë është e mjaftueshme për një milion e gjysmë banorë. Mungesat për 2-3 ditë kanë qenë raste sporadike, dhe regjistrohen vetëm disa pallate dhe jo zona të tëra”, sqaroi drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Sahit Dollapi. Sipas tij, problemi më i madh që sjell uljen e nivelit të ujit në rrjet janë kryesisht abuzimet që bëhen në rrjet nga subjekte informale, lidhje të paligjshme, si dhe shpërdorimi që i bëhet nga banorët, nga ata që lajnë e shpëlajnë trotuaret, zarzavatet, ngritja e lavazheve ku lahen makina, tapete e tapiceri.

Sakaq, Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka sqaruar se përveç problemeve teknike dhe rasteve sporadike të mungesave të ujit, një tjetër faktor që ka ndikuar në uljen e presionit është edhe mungesa e reshjeve të pakën për tre muajt e fundit.

“Drejtoria e Ujësjellësit ka deklaruar dhe deklaron se të gjithë ata që abuzojnë me ujin, të cilët nuk paguajnë, që kapen në lidhje të paligjshme, duke përfituar informalisht, do të ketë shkëputje të furnizimit dhe gjobëvënie”, sqaroi drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve.

Top Channel