Xhafaj: Konomi u vra nga mafia e tokave

13/09/2011 20:00

Vrasja e rëndë e gjyqtarit Skerdilajd Konomi u prek edhe në Kuvend nga opozita. Deputeti Fatmir Xhafaj deklaroi se pas këtij krimi është dora e mafies së tokave.

“Me këtë rast media, por dhe shumë njerëz të thjeshtë, konsiderojnë përgjegjëse mafien e tokave. Nuk jam i befasuar nga ky perceptim. Gjithëkush e di se si vepron mafia e tokave, që po nuk i hape rrugë duhet t’i nënshtrohesh dilemës: “o tokën, o kokën”. Kushdo e di që krime të kësaj natyre ose zbardhen shpejt, ose mbeten në errësirë”, deklaroi Xhafaj.

Pikërisht tek tokat, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përqendruar hetimet e saj mbi vrasjen e gjyqtarit Konomi, në Vlorë.

Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda u shprehën se është bllokuar cdo dokument i mundshëm që mund t’i vijë në ndihmë hetuesve, së bashku me odiesenë disavjecare të vendimeve të gjykatave në të cilat i ati i Skerdilajdit, Fotaq Konomi, se bashku me njerëz të afërm të tij kërkonin dhjetra hektarë tokë të trasheguar, përgjatë bregdetit të Durrësit, nga Gjiri i Lalëzit në fshatin Rrushkull dhe Hamallaj.

Përvec cështjes së fituar në Gjykatën e Lartë në maj të këtij viti, njësia taks forcë në Prokurorinë e Tiranës bën të ditur se katër muaj para vrasjes së Konomit, ka regjistruar dy cështje për këto toka, të cilat i ka ende nën hetim.

Njëra prej tyre është regjistruar pas një kallëzimi të kryer nga të afërm të gjyqtarit Konomi, konkretisht nga familja Vevecka për 200 hektarë tokë në fshatin Hamallaj dhe ata shpreheshin se kishte dyshime se ishin falsifikuar dokumentat nga një fis tjetër, të cilët synojnë gjithashtu këtë siperfaqe toke në Hamallaj.

Top Channel