Arrestohet avokati, kërcënoi gjyqtarin

13/09/2011 21:35

Policia e qytetit të Durrësit ka arrestuar te marten një avokat të njohur, pasi ky i fundit kërcënoi me jetë një gjyqtar.

Sipas informacioneve të fundit, në pranga ka përfunduar avokati Vangjel Muzina, 64 vjec, i cili kërcënoi me vdekje gjyqtarin Fejzo Hysi pas vendimit që nuk favorizonte klientin e tij.

Mësohet se Muzina e ka kërcënuar gjyqtarin duke i thënë: “Do të përfundosh si Skerdilajd Konomi”.

Ky i fundit është gjyqtari që u vra pak ditë më parë në qytetin e Vlorës, në një atentat me eksploziv të vendosur në makinën e tij.

Atentati në fjalë, që nga mënyra nuk lë dyshime për një ekzekutim mafioz, tregon sofistikimin e krimit, ose sistemeve kriminale.

Shumë gjyqtarë reaguan pas ngjarjes duke shprehur indinjatën për vdekjen e kolegut të tyre dhe njëkohësisht për pozitën e dobët në të cilën ndodhen.

Për të protestuar ndaj kësaj situate, ditën e hënë gjyqtarët e të gjitha gjykatave të vendit bojkotuan punën e tyre.

Top Channel