Policia drejt vrasësit të Konomit

12/09/2011 19:45

Edhe pse jo me një siguri të plotë dhe duke përdorur fjalën “mundet”, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj është shprehur se po punohet në dy pista hetimi në lidhje me vrasjen e gjyqtarit të Vlores, Skerdilajd Konomi, dhe se së shpejti mund të publikohet edhe emri i parë i të dyshuarit si ekzekutor.

“Tashmë po hetohet në dy pista, ka vlerësim maksimal nga policia, nën drejtimin e prokurorisë dhe mendojmë se së shpejti mund të kemi ndonjë emër”, ka deklaruar Burgaj.

Por qëllimi i deklaratës publike të bërë nga drejtori Burgaj ka qenë arrestimi i 15 shtetasve shqiptarë në dy ditët e fundit për llogari të drejtësisë italiane.

Personat e arrestuar në Vlorë, Fier, Elbasan, Tiranë, Lac e Shkodër akuzohen për krime të rënda në Itali, si vrasje, shfrytëzim prositucioni, trafik droge, apo pjesëmarrje në organizata kriminale.

“Ratifikimi i marrëveshjes nga Parlamenti italian i hapi rrugën arrestimit të këtyre shtetasve shqiptarë të kërkuar nga drejtësia italiane. Policia e Shtetit do të hetojë edhe pasuritë e tyre për të verifikuar nëse janë në përputhje me ligjin”, ka deklaruar Burgaj.

Të gjithë të arrestuarit janë të dënuar me nga 5 deri në 17 vjet burg nga drejtësia italiane. Burgaj paralajmëroi arrestime të tjera të personave të cilët kanë kryer krime në shtetin fqinj.

Top Channel