“Tenderi 700 mijë USD, Ministria e Brendshme favorizoi një kompani”

12/09/2011 08:20

Tenderët për karburantet që merr administrata shtetërore janë kthyer disa herë në objekt debatesh dhe hetimi nga institucionet kompetente, për shkak të specifikës që paraqet produkti, sidomos për normën e fitimit.

Sipas gazetës ‘Shqip’, një hetim i fundit administrativ i nisur nga avokati i prokurimeve, institucion i specializuar në fushën e tenderëve dhe konsulencës për subjektet dhe administratën, zbulon skemën e abuzimit për shpalljen fituese pa të drejtë një shoqëri private. Hetimi nisi pas ankesës së dy shoqërive në fushën e hidrokarbureve, të cilat kishin marrë pjesë në tenderin me objekt “Furnizimi me lëndë djegëse për kaldaja”, zhvilluar në datën 6 korrik, me vlerë rreth 700 mijë dollarë, zhvilluar nga Ministria e Brendshme, departamenti i prokurimeve të përqendruara për administratën. Pas mbledhjes së fakteve paraprake, Avokati i Prokurimeve nisi hetimin më 18 korrik, rezultatet e të cilit u bënë publike në fund të muajit gusht.

Hetimi nxori në dukje shkeljet që ministria kishte kryer duke shpallur një shoqëri private, e njohur në fushën e hidrokarbureve. Më parë, tenderi i Ministrisë së Brendshme, i zhvilluar në maj kishte dështuar për shkak të mungesës së konkurrencës. Urdhri i Kryeministrit Berisha për t’i mbyllur kontratat para datës 1 gusht e ka detyruar ministrinë t’i japë drejtim tenderit me shpalljen e fituesit, kur në garë kishte mbetur vetëm një kompani. Dy kompanitë, që kishin bashkuar asetet për të marrë pjesë në tender u ankuan tek avokati me pretendimin se skualifikimi ishte i padrejtë.

Nga mbledhja e provave, mësohet se autoriteti kontraktor (Ministria e Brendshme), në kriteret e veçanta për kualifikim të dokumenteve të tenderit, ka kërkuar vërtetim nga organet tatimore, për xhiron mesatare vjetore gjatë dy viteve të fundit (2009, 2010), e cila të jetë në vlerën e fondit limit të vënë në dispozicion. “Nëse operatorët ekonomikë do të ofertojnë për lote të veçanta, xhiroja mesatare gjatë dy viteve të fundit (2009, 2010), të jetë në vlerën e fondit limit të lotit ose të shumës të fondeve limit të loteve që oferton”, ishte njëri kriter në tender. Në fakt, nga hetimi del se të dyja kompanitë nuk i plotësonin kushtet e mesatares së xhiros, vërtetuar nga tatimet.

Për të pasur një ide më të qartë, Avokati i Prokurimeve nis shqyrtimin e dosjes së tenderit për të gjitha kompanitë pjesëmarrëse, të cilat ishin gjithsej 11, por nga bashkimi i tyre, u krijuan 7 oferta. Nga vëzhgimi i dokumenteve, avokati mëson se të gjitha kompanitë, përjashto firmën e shpallur fituese nga ministria, nuk i kishin letrat në rregull, si për vërtetime, licenca, taksat, gjobat etj. Pra, ministria i kishte skualifikuar me të drejtë shoqëritë, por nga ana tjetër shpalli fitues të vetmen kompani të mbetur në garë, kur në fakt procedurën duhet ta kishte anuluar.

Avokati i Prokurimeve thotë se në tender mbeti vetëm një shoqëri dhe për rrjedhojë nuk kishte garë. Tenderi duhet të ishte përsëritur, ku të paktën të vlerësohen tri oferta e sipër.

“Ministria e Brendshme, gjatë vlerësimit të ofertave, ka vepruar në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1, datë 10.01.2007 ‘Për miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik’, të ndryshuar, si dhe Ligjin Nr. 9643 datë 20.11.2006 ‘Për Prokurimin Publik’, të ndryshuar, pasi ka kualifikuar shoqëri që nuk plotësojnë kriteret kualifikuese”, është përfundimi i hetimit të avokatit, strukturë që varet direkt nga Kryeministri Sali Berisha.

Top Channel