Shefja e BB-së, në Tiranë për inspektim

10/09/2011 08:00

Për të dytën herë, brenda një harku të shkurtër kohor, drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Europën Juglindore, Jane Armitage, është duke vizituar Shqipërinë.

Herën e parë për këtë vit ishte në qershor, me anëtarin e bordit drejtues të bankës, ku pa nga afër disa projekte, ndër to edhe Termocentralin e Vlorës, për të cilin banka ka ofruar kredi me vlerë rreth 100 milionë dollarë.

Burime zyrtare të Bankës Botërore bëjnë të ditur se qëllimi i vizitës ka të bëjë me njohjen e Armitage të projekteve në mënyrë më direkte, inspektim ky i parashikuar me kohë.

Shefja e Bankës Botërore do të jetë në Shqipëri deri më datë 14 shtator, kohë e mjaftueshme për të parë ecurinë e projekteve.

“Qëllimi kryesor i kësaj vizite do të jetë të vlerësojë progresin e programit të Bankës Botërore në Shqipëri, si dhe të marrë pjesë në konferencën ‘Drejt një qeverisjeje më të mirë’, që do të mbahet më 13 shtator”, bën të ditur zyra e shtypit.

Mësohet gjithashtu se, gjatë vizitës së saj, Jane Armitage do të zhvillojë takime me Kryeministrin, Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritar, kreun e opozitës Edi Rama, dhe përfaqësuesin e zyrës së Bashkimit Europian në Shqipëri.

Ajo do të vizitojë gjithashtu edhe disa projekte të financuara nga Banka Botërore. Pas takimeve të shumta, drejtoresha do të zhvillojë edhe një konferencë për shtyp, ditën e martë, nga ku pritet me interes nga media për zhvillimet e fundit që kanë pasur disa sektorë ku është e pranishme Banka Botërore.

Me interes pritet qëndrimi i saj lidhur me problemin e projektit për spitalet, me vlerë 3.6 milionë dollarë, ku banka ka shprehur rezervat për mënyrën se si është proceduar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila shpalli fituese një shoqëri private në mënyrë të padrejtë.

Çështje tjetër e rëndësishme do të jetë sistemi i pensioneve dhe skema e re që po diskutohet. Banka Botërore ka luajtur rol të rëndësishëm në hartimin e politikave dhe ka mbështetur qeverinë me fonde për krijimin e kapaciteteve që ndihmojnë në hartimin e një projekti të duhur për pensionet.

BB-ja ishte institucioni ndërmjetësues mes PD-së dhe PS-së për reformën e pensioneve, iniciuar në vitin 2008, por nuk pati më tej zhvillime për shkak të krizës politike.

Që nga viti 1991, Banka ka investuar pothuajse mbi 1 miliard dollarë në formën e kredive pa interesa në të gjithë vendin.

Edhe tani me investimet në zbatim, që kapin shifrën prej 265 milionë dollarësh, investimet e financuara nga Banka Botërore janë të pranishme në mbi 43 bashki dhe 230 komuna.

Top Channel