Lamtumira e gjykatësit Konomi

10/09/2011 00:00

Percillet me nderime për në banesën e fundit arkivoli me trupin e gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd
Konomi, i cili mbeti viktimë e një atentati me ekspoziv një ditë më parë
në qytetin bregdetar.

Të afërm, miq e shokë të tij, qytetarë të thjeshtë të Vlorës, por edhe deputetë dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë parakaluan përpara trupit të pajetë të të ndjerit. Si rrallë ndonjëherë drejtuesit më të lartë të shtetit, në mungesë të tyre dërguan kurora lulesh.

Ata që ndaluan përpara mediave për të dënuar krimin, kishin të gjithë të njëjtin argument: ky ishte një sulm mafioz i drejtuar në radhë të parë kundër vetë shtetit.

“Njollë turpi për shtetin që duhet të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe të atyre që përpiqen për qytetarët”, tha kreu i Bashkisë, Viktor Gjika.

Nënkryetari i KLD-së,Kreshnik Spahiu njoftoi se ka thërritur urgjentisht mbledhjen e Këshillit. “Eshtë e rëndësishme që në këtë moment krimi të mos fitojë betejën me shtetin. Sepse këto 24 orë që ende nuk janë zbardhur mund të bëhen 24 ditë, 24 javë 24 muaj 24 vite ashtu sic ndodh me shumë krime të tjera”, tha Spahiu.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u shpreh se shoqëria të reflektojë, në mënyrë që shoqëria të kuptojë që të ngresh dorë kundër gjyqtarit është ndoshta krimi më i rëndë që mund t’i ndodhë vetë ekzistencës së shtetit

Ndërsa deputeti socialist Eltar Deda theksoi se shteti duhet të vendosë drejtësinë për një ngjarje që është e përsëritshme në qytetin e Vlorës

Më pas arkivoli me trupin e pajetë të të ndjerit, nën sirena policie, u nis për në varrezat e qytetit. Duke lënë pas një pikëpyetje të madhe për shkaqet e vërteta të këtij krimi. Krim që nxjerr në pah jo vetëm shkallën e lartë e mizorisë, por edhe dëshirën e qartë të atentatorëve për të bërë një ekzekutim publik, ditën me diell, si një formë e pastër presioni mafioz.

Skerdilajd Konomi, gjyqtar i Shkallës së Parë në Gjykatën e Vlorës është vrare te premten nga një shpërthim eksplozivi në bulevardin kryesor të qytetit të Vlores.


33-vjecari,i martuar, baba i dy femijeve 4 dhe 1 vjec, mesohet se ishte nisur per te shkuar ne pune me mjetin e tij kur ndodhi shperthimi brenda ne makine ne ecje e siper. Ne momentin e shperthimit prane tij nuk ka patur mjete te tjera. Shperthimi i forte ka shokuar kalimtaret qe kane pare ne mes te bulevardit nje automjet qe vazhdonte te ecte per inerci pasi shpertheu. Disa prej tyre vrapuan per te nxjerre nga makina drejtuesin e mjetit. I ndjeri ishte ende gjalle kur kalimtaret perpiqeshin te hapnin dyert e shkaterruara.

Per shkak te demtimit te kembeve qe kishin ngecur ne pjeset e demtuara te mjetit, trupi nuk u be e mundur te largohej menjehere nga mjeti, i cili pak sekonda me pas u perfshi nga flaket.

Eshte dashur nderhyrja e zjarrefikesve qe te shuajne flaket qe shperthyen ne automjetin e shkaterruar nga eksplozivi. Pasi zjarrfikesit evituan ndonje shperthim tjeter te mjetit, policet dhe kalimtaret terhoqen trupin e gjytarit te ri nga mjeti. Pa pritur ende mberritjen e ambulances dhe mjekeve, policet transportuan per ne spital te riun, i cili mesohet se humbi jeten me pas per shkak te plageve te medha dhe djegieve te trupit.

Atentat mafioz

Verifikimi i targës së automjetit bëri shpejt të qartë për policinë se bëhej fjalë për një ngjarje shumë më të rëndë se atentatet që kishin ndodhur më parë në Vlorë. Skena e krimit ishte pothuaj identike me atë të ndodhur më herët këtë vit në Skelë, por viktima bënte ndryshimin.

Ekspertët më të mirë të Policisë së Shtetit u gjendën shpejt në vendin e ngjarjes dhe konstatuan se në makinën e gjyqtarit Skerdilajd Konomi ishte vendosur një sasi e konsiderueshme lënde plasëse dhe shpërthimi ishte komanduar në distancë. Pak orë më vonë, hetuesit mësuan një fakt tjetër që i vuri vulën klasifikimit të këtij krimi si atentat i tipit mafioz.

Gjyqtari Konomi kishte blerë përpara pak kohësh një makinë të re, një “Mercedes Benz” të kushtueshëm, ndërsa Mercedesi me të cilin lëvizte dje, përdorej zakonisht nga bashkëshortja e tij. Por një ditë përpara atentatit, dikush i kishte çarë me thikë gomat e “Mercedesit” të ri, duke e detyruar gjyqtarin që banonte në zonën e Ujit të Ftohtë, të përdorte makinën e vjetër për të shkuar në punë. Ekspertët e policisë thonë se në makinën e re të gjyqtarit, për shkak të sistemeve moderne të sigurisë, ishte e vështirë të vendosej një bombë, ndërsa në makinën e vjetër, vendosja e një bombe mund të konsiderohej “punë fëmijësh”.


Halimi: Dëshmitarë dhe prova

Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi ka vizituar familjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili humbi jetën në një atentat me eksploziv sot në qytetin e Vlorës.

Duke folur për mediat pas vizitës, Halimi ka deklaruar se është takuar me grupin hetimor, i cili sipas tij po punon me intensitet dhe është në rrugën e duhur.

“Konstatova se grupi hetimor po punon në mënyrë të shkëlqyer, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të së drejtës, policisë kriminale dhe Krimeve të Rënda. Mora garancinë se hetimi do jetë i shpejtë dhe efikas dhe se përgjegjësit do të bien në prangat e ligjit”, ka deklaruar Halimi.

“Ajo që është e rëndësishme është se nuk është një krim i përsosur, se ka prova, ka dëshmitarë që po flasin dhe autorët do të dalin para ligjit”, ka nënvizuar ai.

Ministri i Drejtësisë ka shtuar më tej se ka garantuar familjarët e gjyqtarit për vënien e drejtësisë në vend, si dhe u ka ofruar hetuesve mbështetjen e qeverisë.

Ndërkohë, personi që jep informacion për autorin ose autorët e vrasjes do të marrë një shpërblim prej 100 mijë euro.

Shuma në fjalë është caktuar nga Drejtoria e policisë së Vlorës, e cila ka vendosur edhe dy numra telefoni në dispozicion të informatorëve: 069 41 02 355 dhe 069 41 05 397.

Top Channel