Regjistrimi, zyrtari grek në Tiranë

08/09/2011 15:00

Greqia, në mënyrë sekrete vazhdon të intesifikojë përpjekjet diplomatike
për cështjen e regjistrimit të popullsisë. Mëngjesin e të enjtes
mbërriti në Tiranë sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të
Jashtme Greke, z. Ioannis Zepos.

Së bashku me ambasadorin grek në Tiranë ata zhvilluan një takim me zëvëndëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edmon Haxhinsto. Pak përpara takimit me  shefin e diplomacisë shqiptare, për rreth një orë Zepos ka biseduar për një sërë cështjesh me homologun shqiptar Gazmend Turdiu.

Burime diplomatike nga Ministria e Jashtme, në mënyrë konfidenciale, jo zyrtarisht pohojnë se pjesë e bisedimeve ishte edhe cështja e censusit. Por, në komunikatën për shtyp të Ministrisë së Jashtme thuhet se  “në takim u shpreh vullneti i përbashkët për zhvillimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”.

Zepos nënvizoi se Greqia do të vazhdojë të jetë nga mbështetësit kryesorë në përpjekjet që bën Shqipëria për integrimin evropian, duke ofruar asistencën e saj konkrete në këtë drejtim.

Z. Ioannis Zepos mbërriti në Tiranë me kërkesën e tij dhe zhvilloi nje axhende te bërë nga ambasada greke në Tiranë. Madje edhe lëvizjet në Tiranë u kryen me makinën e ambasadorit grek dhe jo me makinat e protokollit shqiptarë sic ndodh në rastet kur vizita është zyrtare. Pas ministrisë së jashtme, zyrtari grek ishte selinë e qeverisë ku u takua me kryeministrin Berisha.

Prapaskenat diplomatike të Greqisë dhe bindja e qeverisë shqiptare për t’i plotësuar tekat e Athinës dalin në pah nga kabllogramet e Ambasadës Amerikane ku në një prej tyre thuhet se diplomacia greke u mundua fuqishëm që bisedimet greko-shqiptare të mbaheshin sa më larg vëmendjes amerikane.Po për këtë cështje një tjetër kabllogram dëshmon se marrëveshja për kufirin është bërë nga qeveria në shkëmbim të ratifikimit nga ana e Greqisë të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit”

Top Channel