“Marrëveshja për ujrat të zbatohet”

08/09/2011 19:20

Marrëveshja e ujërave ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zbatohet. Ky ishte mesazhi që ministri i Jashtëm grek Stavros Lambrinidis dërgoi nga Prishtina, ku ndodhej pasditen e së enjtes për një vizitë zyrtare.

“Ne kemi investuar shumë në marrëdhëniet e mira me Shqipërinë. Ne presim plotësisht që kjo marrëveshje e nënshkruar nga dy vendet e lira dhe demokratike të zbatohet. Kjo është ajo që ne presim dhe ne shpresojmë se kjo do të ndodhë shumë shpejt”, është shprehur Lambrinidis.

Deklarata e shefit të diplomacisë greke erdhi nga Prishtina, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

I pyetur nëse Greqia e mbështet Shqipërinë për statusin kandidat për në BE, Lambrinidis i cili do të vizitojë edhe Tiranën, u shpreh se shteti i tij si anëtar i Bashkimit Europian dëshiron që Shqipëria, të jetë si çdo vend në rajon.

“Ne duam që Shqipëria të jetë si çdo vend tjetër – në pozicionin e një shteti kandidat. Dhe arsyeja që do të shkoj atje me kolegun tim, Fratinin, është që të japim këtë mesazh të qartë dhe të fuqishëm, sepse ne kemi qenë protagonistë në aspiratat e shqiptarëve për përspektivën europiane”, tha Lambrinidis.

Sipas tij, kjo varet nga angazhimi i shqiptarëve dhe se mesazhe të tilla do t’i dërgojë në Tiranë me homologun italian, Franko Fratini, gjatë javës së ardhshme.

Regjistrimi, zyrtari grek në Tiranë

Greqia, në mënyrë sekrete vazhdon të intesifikojë përpjekjet diplomatike për cështjen e regjistrimit të popullsisë. Mëngjesin e të enjtes mbërriti në Tiranë sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke, z. Ioannis Zepos.

Së bashku me ambasadorin grek në Tiranë ata zhvilluan një takim me zëvëndëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edmon Haxhinsto. Pak përpara takimit me  shefin e diplomacisë shqiptare, për rreth një orë Zepos ka biseduar për një sërë cështjesh me homologun shqiptar Gazmend Turdiu.

Burime diplomatike nga Ministria e Jashtme, në mënyrë konfidenciale, jo zyrtarisht pohojnë se pjesë e bisedimeve ishte edhe cështja e censusit. Por, në komunikatën për shtyp të Ministrisë së Jashtme thuhet se  “në takim u shpreh vullneti i përbashkët për zhvillimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”.

Zepos nënvizoi se Greqia do të vazhdojë të jetë nga mbështetësit kryesorë në përpjekjet që bën Shqipëria për integrimin evropian, duke ofruar asistencën e saj konkrete në këtë drejtim.

Z. Ioannis Zepos mbërriti në Tiranë me kërkesën e tij dhe zhvilloi nje axhende te bërë nga ambasada greke në Tiranë. Madje edhe lëvizjet në Tiranë u kryen me makinën e ambasadorit grek dhe jo me makinat e protokollit shqiptarë sic ndodh në rastet kur vizita është zyrtare. Pas ministrisë së jashtme, zyrtari grek ishte selinë e qeverisë ku u takua me kryeministrin Berisha.

Prapaskenat diplomatike të Greqisë dhe bindja e qeverisë shqiptare për t’i plotësuar tekat e Athinës dalin në pah nga kabllogramet e Ambasadës Amerikane ku në një prej tyre thuhet se diplomacia greke u mundua fuqishëm që bisedimet greko-shqiptare të mbaheshin sa më larg vëmendjes amerikane.Po për këtë cështje një tjetër kabllogram dëshmon se marrëveshja për kufirin është bërë nga qeveria në shkëmbim të ratifikimit nga ana e Greqisë të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit”

Top Channel