“Wikileaks”, po afron vjeshta

07/09/2011 00:00

Artan Mullaj – Sot është epshndjellëse të imagjinosh si ndihet Kryeministri i vendit
pas publikimeve të “Wikileaks”. Përdora frazën “epshndjellëse”, për të
lënë të supozuar një shkallë ekstreme të kureshtjes publike për
prapaskenat në politikën shqiptare, por në këtë rast, fraza më e saktë
do të ishte “e pamundur”

Shpërdorime të pasurisë publike, vjedhje qeveritare, krime shtetërore, mistere, pirateri, të gjitha supozime të hershme, që kanë dalë si fakte në shesh për sytë e të gjithëve. E pamundur pra të marrësh më mend mllefin histerik dhe historik të Sali Berishës për situatën e vështirë dhe për gjithëçfarë: Për opozitën. Për gazetën “Tema”. Për Andrea Stefanin dhe Mustafa Nanon. Për ngazëllimin tinëzar të Presidentit të Republikës. Për urrejtjen e vullkanshme të shqiptarëve të rindezur rishtas kundër “pushtetit të familjes”, për Amerikën. Mbase edhe për Arvizunë, ambasadorin amerikan që disa muaj më parë e pat përkëdhelur me frazën ekstazuese: “Burrë shteti”, (Kushedi ç’xhevahire elektronike për Saliun ka nisur edhe ai me dorën e tij drejt Obamës!). Pra, duhet të jesh iluzionist sot që, duke këqyrur prishjen e simetrisë në fytyrën e këtij pushtetari, të marrësh me mend rezonancën që i sjell instinkti verior i vetëmbrojtjes, eshtrave të tij. Vështirë të marrësh me mend nëse përvoja e hekurt në politikë, do mund ta ndihmojë për të fshehur ankthin e pashmangshëm të mishit, shtrëngesën. E shumta mund të supozosh një panik sundimtari, që parandien rrëshqitjen nga duart e tij të pushtetit. Afrimin e vjeshtës për të!

* * *

A është drejt rrëzimit pushteti i tij, mbas publikimeve skandaloze të “Wikileaks”? A do të kalojë kjo dallgë e ngritur nga nevoja e beftë popullore për moral dhe ndershmëri, ashtu si kaluan të tjerat, në historinë e tij: Si kaloi Gërdeci, 21 Janari, dhe rrëmbimi me thonj i Bashkisë së Tiranës? Ç’gjë e rrezikon më shumë dinastinë e sundimit të tij? Zgjimi, vetëdija qytetare, e trazuar papritur nga të vërtetat e publikuara, apo zhgënjimi i paralajmëruar i idiotëve, që janë hedhur dikur në zjarr dhe në det për atë? Pavarësisht përgjigjes, i rrezikuar ose jo, në mos një diktator, Berisha mund të quhet një sundimtar. Sundimtar, jo thjesht për kohën e gjatë në politikën e tranzicionit, të cilën e ka dominuar, duke sfiduar këdo e gjithçka; sundimtar për egërsinë e fantazisë së harxhuar për të qenë, për të qëndruar në majë. Si një sundimtar, ky njeri ka kapur shtetin shqiptar në mënyrën më private dhe më primitive, që është harbutëria. Ministra fodullë drejtojnë institucione të mbushura plot me fodullë dhe militantë, këtu e shumë vjet. Fodullët, mediokrit, horrat, hajdutët, janë fytyra e shtetit sot. Deputetë sharlatanë, mediokër, shpesh kriminelë. Këtu zë fill edhe një detaj i paqartësisë. Të funksionojë një mënyrë e tillë primitive sundimi, që i ka dhënë një pushtet absolut një njeriu primitiv e bajraktar, në krye të njerëzve servilë, kriminelë e mediokër, do të thotë që më shumë se nga Berisha, më shumë se nga klani i tij, shqiptarët janë të sunduar prej perceptimit të tyre. Prej perceptimit gabim që ata kanë për lirinë. Tjetri të shtyp, të mohon, të shpërdoron, ditë edhe natë, pa ngurrim, pa hezitim, kurse ti ul kurrizin, duron, pranon, heziton, e voton; tjetri të poshtëron, të skllavëron, zvetënon, të vjedh, kohën edhe paratë, kurse ti le iluzionet e humbura të shuajnë ëndrrat e tua; Paqe me sundimin! E gjithë kjo do të thotë, të jesh palë, të bëhesh palë, për t’ia futur vetvetes. Spektatorë të mallkimit që sundon jetën e tyre, shqiptarët kanë shpalosur kështu një veçori unikale të dobësisë: Durimin, pranimin, nënshtrimin. Duke e njohur këtë veçori, në llojin e tij si sundimtar, suksesi i Saliut nuk është i vetmuar. Në gjurmët e ish-diktatorit Hoxha, ashpërsinë e regjimit të tij, ky e manipuloi me inercinë servile dhe propagandën arabe të Sadamit dhe Gadafit, çka i mbajti edhe ata shumë gjatë në pushtet. Saliu, dinak dhe hidhnak, ndërtoi një model sundimi, njëlloj si të tyrin. Çfarë ka ndodhur gjithë këta vjet? Janë thënë e stërthënë pa fund. Një strategji perverse në kurriz të moralit. Me të ardhur në pushtet, Saliu u matufeps mes dhuratës përrallore që i la paraardhësi Nano. Një kohë të gjatë nuk e mori veten nga kjo lajthitje e fatit. Ai, doktori, një qelizë mjekësore e ish-diktaturës, u avit si një njeri i përzotshëm. Ky mund të ketë qenë momenti që ish-doktori komunist ka filluar të besojë te Perëndia. Zoti e kishte zgjedhur atë, mes milionave të tjerë në planet, për t’i vërtetuar ekzistencën, por edhe provuar fuqinë. Nga një shërbëtor diktature të hershme, ja ku u shndërrua sakaq, në fillim në një demokrat, pastaj në një sundimtar. Vetëm Perëndia mund të kujdesej për të ndodhur një magji e tillë, që e shndërroi këtë njeri nga shërbëtor të një mbreti, në mbret të vërtetë. Sa kohë në vetëdijen e tij u sistemua ky informacion, ai kishte qenë spektatori i fatit të vet, ndërsa realiteti ishte bërë më rrezëllitës se vetë ëndrrat e tij. Sepse ëndrrat e një doktori mund të kenë gjithçka, edhe sukseset që përjashtojnë krenarinë, por jo një mbretëri të tërë. U shfaq si kryetar i PD-së. U bë President. Kryetar i opozitës. Kryeministër. Dhe së fundmi, monark! Kur e ndau mendjen se kjo, qenia mbret nuk ishte më një lajthitje, por një realitet, si çdo mbret, kultivoi sakaq dëshirën për të qenë i përhershëm. Pastaj ngriti institucionin e frikës publike. Disa zhdukje misterioze, disa vrasje pa autor, të tjera me autor, sfida të hapura normalitetit, dhunë fizike, terror shtetëror për popullatën, korrupsion qelizor, gjoba biznesit, hakmarrje kundërshtarëve, të gjitha këto ishin të mjafta që, ndërsa ngrinte monarkinë, të krijonin një barrikadë psikologjike për të gjitha rreziqet. Kështu filloi sundimi i monarkisë private të familjes. Paralizoi gjykatat, që të vriste ndershmërinë. I hoqi barutin prokurorisë, që vendi mos kishte drejtësi! Fshiu mundësitë. Vrau shpresën. I veshi në fund edhe vellon e Barby-t Presidentit, e të tjera, e të tjera, derisa, çdo ditë, herët në mëngjes, tek përshëndet veten në pasqyrë, shikon herë Sadamin e Irakut, herë Gadafin e Libisë, që i thotë: “U bone ti!!! ..Punë e mirë! Të lumtë o Sali!”.

Me kohë sundimi hyri në një fazë të re. Faza e përjashtimit total të rrezikut. Ai bëri listën e shpejtë të politikanëve gjuhë jashtë, që kur nuk lëpijnë duar, ju rrjedhin jargë. Kocka e madhe ishte për kokën e madhe. Si konet e përkëdhelura leshtore, që i bashkohen të parat tufave mishngrënëse, pengu i parë i mbretërisë së bjeshkëve, do të ishte një pjesë e së ardhmes së tij…. Ilir Meta, i shndërruar nga njeri në fenomen, u zvarrit më tej kufirit të logjikës, duke arritur të pamundurën: u shndërrua sakaq nga një fenomen në simbol, në simbolin e babëzisë më të shëmtuar njerëzore për pasuri dhe pushtet. Në krah të sundimtarit, ishte edhe frymëzimi më i madh i këlyshëve të tjerë të pushtetit. Me radhë, kushërinjtë e rinj të Xhuvelit, Cekat, Pollot, Imamët dhe Rulët, të gjithë të dyshuar për korrupsion dhe afera, ishin pjesë e planeve të sundimtarit, jo për të konsoliduar thjesht pushtetin e tij, por për t’i paraprirë krijimit të një institucioni të ri të sundimit, që është propaganda. Në këtë projekt, mediat mbështetëse të sundimit, patën një rol thelbësor. Radhitja e turpshme e një armate të tërë gazetarësh në krahun e një pushteti që vjedh, pret, vret e shkatërron popullin e vet, betonoi bindjen se së fundmi, një problem i madh për këtë vend janë edhe këta gazetarë dhe analistë kanakarë të sundimit, ashtu si një problem i madh për këta gazetarë e analistë, nuk ishte më shtypi opozitar, konkurrenca mediatike, as opozita, as kundërshtia civile e një populli që manipulohej kollaj, por jetëgjatësia e Kryeministrit. Në shpirtrat e tyre, urimi, “Sali, të na rrosh sa malet dhe sa mallet”, ishte më i sinqertë se kurrë, duke sfiduar urimet e hershme të besnikëve të komunizmit, që i dhuronin ditë jetë Enver Hoxhës nga ditët e tyre dhe nga ditët e fëmijëve të tyre. Shumë shpejt sundimtari filloi t’ju hidhte kocka me shumicë besnikëve të tij që i kujtonin besnikërinë që vetë ai kishte treguar vite më parë për diktaturën komuniste. Dhe ja ku jemi. Gjithçka në rregull. Gjërat shkojnë vaj. Gjërat do të shkonin vaj kushedi sa, nëse nuk do të shfaqej papritur “Wikileaks”-i shqiptar. Pikërisht atëherë kur nuk pritej, në kulmin e fuqisë së tij, po ndodh diçka jo e zakontë. Monarkia po ndien tërmetin përposh. Pushteti që sfidoi Gërdecin, vrasjet në shesh, këshillat, por edhe zhgënjimin e ndërkombëtarëve, analistët kritikë, opozitën e brishtë, votën e shqiptarëve, sapo pësoi krisjen e parë, që quhet “Wikileaks”. Në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar. Nuk ndodhi asnjë shpërthim i ri, dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është vrarë nga dora e shtetit, ditët e fundit. Asnjë video korrupsioni nuk është publikuar së fundmi. Saliu e ushqen njëlloj euforinë e tij për rekordin e Dhërmiut, me hapje të verdha, që quhen, “shariuduimis perminafil”. Ato, krenarinë ia shndërrojnë sakaq në nostalgji… Presidenti me vellon e Barbit është ende i përgjumur nga pushimet dhe nga indiferenca e brumtë. Jozefina, përkrah nënë Terezës, e ka përsëri atë freskinë ndjellëse në vjeshtë, që interferuar vjeshtës së karrierës së saj, e tregon më pak burrneshë e më shumë nostalgjike. Ilir Meta, ngjyrë çokollatë, në lëkurë dhe nën lëkurë, thonë se shëtit ende me jaht nga gjiri i Lalëzit në gjirin e Hicit, vete e vjen si kokoroç, mes puhizës. Arvizu gjithashtu, në rutinën e tij. (Ç’mendon ai vallë për informacionet e paraardhësit të tij, dhe a ka ai ndonjë lloj xhelozie që “Wikileaks” përgjoi mesazhet e paraardhësit të tij, çka e bënë atë të spikasë?)

E pra, në mes të kësaj rutine fundvere, asgjë e veçantë nuk ka ndodhur në Shqipëri. Megjithatë, ndihet në atmosferë krisja serioze e sundimit kryeministror të familjes. Ndihet fillimi i fundit të dinastisë. Diçka e ka sjellë këtë krisje! E vërteta! Pastërtia e moralit amerikan, që besojnë shqiptarët.

Gazeta “Shqip”

Top Channel