PS: Urgjent Këshilli Bashkiak

07/09/2011 22:35

Këshilltarët e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë kërkuar mbledhjen jashtë radhe të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, me një axhendë prej 4 kërkesash, ku në fokus janë ato që socialistët i cilësojnë si fushatë spastrimesh të punonjësve të administratës së bashkisë dhe dhunimin nga ana e Drejtorit të Policisë Bashkiake të dy punonjësve të Zyrës së Taksave dhe Tatimeve.

Kërkesa për mbledhjen jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, e firmosur nga kryetari i grupit socialist, Aldrin Dalipi, përmban edhe pikën për largimin nga detyra të Drejtorit të Policisë Bashkiake, të cilin socialistët e bëjnë përgjegjës për dhunën fizike dhe verbale gjatë incidentit me dy punonjëset.

Gjithashtu këshilltarët socialistë kërkojnë informacion të detajuar për numrin e saktë të personave të larguar nga puna gjatë dy muajve të fundit dhe motivet për secilin.

Por socialistët në Këshillin Bashkiak të Tiranës nuk janë mjaftuar vetëm me thirrjen jashtë radhe të parlamentit lokal. Nëpërmjet një letre të dytë, Aldrin Dalipi u drejtohet deputetëve socialistë për ta ngritur cështjen në nivel kombëtar, në Kuvendin e Shqipërisë dhe kërkojnë ta bëjnë këtë duke u sugjeruar atyre të thërrasin në interpelancë urgjente kryeministrin Sali Berisha.

Sipas këshilltarëve bashkiakë të opozitës, deputetët socialistë duhet t’i kërkojnë kryeministrit të përgjigjet për atë që e cilësojnë si degjenerim të Policisë së Shtetit deri në pikën e dhunimit të grave të pafajshme.

Për këshilltarët socialistë thirrja e kryeministrit në interpelancë për këtë cështje është më e pakta për t’u dhënë zë qytetarëve të Tiranës.

Top Channel