“Wikileaks” dhe “pranvera arabe”

06/09/2011 11:50

Ilir Yzeiri – Ajo që po ndodh këto ditë me botimet e kabllogrameve të organizatës “Wikileaks”, mund të vështrohet në disa anë.

Në fillim, siç edhe e kam përmendur në shkrimin e mëparshëm “This is America”, kabllogramet e Ambasadës Amerikane në Tiranë drejtuar Uashingtonit nuk zgjuan ndonjë kureshtje të veçantë, sepse ngjarjet kyçe në të cilat janë përqendruar këto kabllograme, në shumicën e tyre njiheshin nga opinioni. E reja e këtyre kabllogrameve është vërtetësia e burimit të dytë. Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe veçanërisht ambasadori Withers, i shërbyen opinionit shqiptar si vërtetim i burimit të dytë, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, si mbrojtës të shkëlqyer të parimeve të pavdekshme të transparencës dhe të ndarjes së pushtetit nga krimi.

Është rasti edhe njëherë tjetër që të përsërit se ambasadori Withers është heroi i shpëtimit të Shqipërisë në periudhën më të vështirë të saj. Ai ndali revanshin e një klike të rrezikshme dhe la një dëshmi të jashtëzakonshme transparence. Më kujtohet se kur kam marrë për herë të parë në dorë librin e Harri Silajxhiç për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, jam befasuar nga vëmendja e imët që kishte treguar SHBA-ja për Shqipërinë. Arkivat shqiptaro-amerikane u hapën në vitin 1990, pra, pas rreth 50 vjetësh. Merita e madhe e epokës dixhitale është se ligjet e njeriut për të shenjtëruar sekretin janë vënë në dyshim: kjo epokë e ka zvogëluar kohën e hapësirën dhe se shenja e saj nuk është errësira e sekretit, por drita e transparencës. Kështu, kabllogramet që ne po lexojmë sot, sipas ligjit për sekretin, do të mund t’i lexonim pas 50 vjetësh.

Mirëpo, falë epokës së re ku jemi futur dhe falë “Wikileaks” ne po i lexojmë sot. Studiues të shumtë që janë marrë me ngjarjet në Tunizi e në Egjipt, pra, me atë që u quajt “pranvera arabe”, kanë vënë re se “Wikileaks” ndihmoi sidomos në Tunizi për të shporrur nga ai vend diktatorin e neveritshëm Ben Ali. A ka ndonjë lidhje mes publikimeve në internet të kabllogrameve amerikane dhe revolucionit tunizian? Në një të përditshme europiane kohë më parë, pyetjes se në origjinë të revolucionit tunizian qëndron “Wikileaks”, vetë Julianne Assange i përgjigjej kështu: “Duket qartë se materialet që kemi botuar ne me anë të gazetës libaneze ‘Al-Akhbar’, kanë pasur një ndikim të shënuar mbi atë që ndodhi më pas në Tunizi”. Themeluesi i “Wikileaks” e ka bërë këtë deklaratë më 13 shkurt të këtij viti. Sipas tij, u bë e ditur përmes këtyre kabllogrameve që amerikanët e kishin lëshuar Ben Alinë. Kjo i nxiti tunizianët që të fillojnë revolucionin. Përhapja e raporteve të diplomatëve amerikanë, të cilët e përshkruajnë diktatorin dhe rrethin e tij familjar si një lloj mafieje, kanë përforcuar më shumë vetëdijen e tunizianëve për të ngulur gozhdën e fundit në arkivolin e diktaturës. Publikimin e kabllogrameve ku përshkruhet Ben Ali dhe familja e tij, tunizianët e morën si sinjal që regjimit i duhej dhënë shqelmi. Në atë kohë Snorre Valen, një deputet norvegjez i së majtës socialiste, thoshte: Duke zbuluar aferat financiare të familjes së Ben Alisë në Tunizi, “Wikileaks” solli një ndihmesë jo të vogël në rënien e diktaturës tuniziane. Kjo mund të jetë një shenjë e mirë që Assange të propozohet për çmimin “Nobel” për paqe 2011, vinte në dukje një tjetër. Po Egjipti? Është më e thjeshtë akoma. Assange, në atë kohë deklaronte: “Nuk ka asnjë dyshim që Tunizia shërbeu si shembull për Egjiptin, Jemenin, Sirinë dhe gjithë protestat që u zhvilluan në Veriun e Afrikës”. Me një fjalë, themeluesi i “Wikileaks” mbron idenë e efektit domino. Revolucioni tunizian përfitoi nga efekti “Wikileaks”, ndërsa revolta egjiptiane ndoqi modelin tunizian.

Mirëpo, një pjesë tjetër e botës mendon ndryshe dhe kultin e revolucionit dixhital e sheh si të fryrë dhe me një peshë më të madhe se çfarë duhet të ishte në realitet. Duke shfletuar faqe të ndryshme nga ajo periudhë, mes të tjerash lexoj se në një blog me titull Meilcour “ironizohen profetët e lumtur të teknologjive të reja”. Këtu parodizohet një i ri egjiptian që në sheshin “Tahrir” thërriste: Faleminderit “Facebook”! Dhe më tej në këtë blog thuhet: Revolucionet arabe nuk ishin revolucione “Twitter”, as “Wikileaks”. Në Tunizi revolucioni shpërtheu, sepse uria, shtypja, korrupsioni dhe pabarazia ishin bërë të padurueshme. Dhe më në fund, e përditshmja amerikane “Los Angeles Times” citonte një mesazh postuar në “Twitter” nga romancieri tunizian që jeton në Kaliforni, Laila Lalami, që shkruante: “Ju lutem, boll e lidhët rënien e Ben Alisë me ‘Wikileaks’, ‘Twitter’ apo ‘YuoTube’. Ishte populli tunizian që e hodhi në plehra”. Ndërsa në Shqipëri…

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel