CEZ, kundër ERE-s për kontratën e re

06/09/2011 08:05

Kompania CEZ i ka dhënë fund heshtjes së gjatë për qëndrimin që duhet të mbante lidhur me kontratën e re të furnizimit me drita, hartuar paraprakisht nga Enti Rregullator.

Dje ishte dita e ballafaqimit me grupet e interesit, shoqatat e konsumatorëve, CEZ-it, ERE-s etj., lidhur me ndryshimet që propozohen për kontratën e re të furnizimit me energji, e cila parashikohet të hyjë në fuqi në janar.

Sipas ERE-s, kontrata i garanton konsumatorit të drejta të plota, cilësi më të mirë, furnizim të rregullt, lehtësi për shlyerjen e faturës me këste, ulje të banaliteteve etj.

Gazeta “Shqip” disponon të plota rekomandimet e kompanisë CEZ, të bëra publike dje, në mënyrë të përmbledhur nga stafi drejtues.

Drafti i hartuar nga ERE kundërshtohet të paktën në 20 pika nga CEZ, duke dhënë argumentet bashkë me sugjerimet. Palët nuk bien dakord që me pikën e parë të draftit: kontrata.

CEZ thotë se nuk duhet të ketë një kontratë të njëjtë për të gjithë kategoritë e konsumatorëve, por secili grup të trajtohet më vete, si familjet, bizneset dhe nënkategoritë e tyre.

Tjetër përplasje mes institucioneve lidhet me uljen e kamatëvonesës. ERE propozon si masë penalizimi nivelin 0.1 për qind/ditë mbi shumën e vonuar, kurse CEZ sugjeron që të mbetet 0.5 për qind.

“Ky kusht synon që të detyrojë konsumatorët që të respektojnë datën përkatëse të pagesës, t’i ndërgjegjësojë ato për pasojat negative që shkaktohen kur nuk shlyhet në kohë fatura”, thuhet për nenin 6, pika 2.

Gjithashtu CEZ është kundër vendosjes së një limiti për aplikimin e penalizimeve, sikurse kishte caktuar ERE jo më shumë se 50 për qind e detyrimit.

Tjetër propozim i fortë nga ana e kompanisë çeke ka të bëjë me ndërprerjen e dritave në rastin e atij klienti që ka dy kontrata energjie dhe ku te njëra mbart detyrime.

Pra, mjafton të mos paguajë energji për njërin ambient privat dhe në këtë rast i ndërpritet kontrata edhe për ambientin tjetër (shtëpinë p.sh.).

“Masa shtrënguese e ndërprerjes së energjisë elektrike përfaqëson masën më të ndjeshme dhe më të efektshme ndaj konsumatorëve”, thotë CEZ lidhur me nenin që flet për pagesën.

Kompania është e bindur se nuk duhen zgjatur afatet për shlyerjen e faturave, por të respektohet koha prej 30 ditësh.

Kompania thotë se në kontratë duhen vendosur disa nene të tjera, duke i bërë të qartë që në fillim konsumatorit pjesën e detyrimit.

Top Channel