METE u heq licensën 11 subjekteve të naftës

05/09/2011 20:00

Ministria e Energjitikës ka hequr licensën për 11 shoqëri që tregtonin naftë dhe gaz, sepse nuk përmbushnin kushtet e kapacaiteteve depozituese.

METE e ka marrë këtë vendim pas propozimit të Inspektoriatit Qendror Teknik, i cili është institucioni përgjegjës për kontrollin e tregut të hidrokarbureve.

Kontrolli në këto shoqëri vjen pasi ndaj tyre më parë ishte vendosur sanksioni i pezullimit të lejeve të tregtimit për një afat 30-ditor.

Gjatë këtij afati shoqëritë duhet të plotësonin mangësitë e konstatuara nga ana e institucioneve kompetente.

Çmimi i naftës, “faji” i qeverisë

Rritja e re me 6 lekë për litër në taksat e karburanteve është vetëm masa e fundit në radhën e një politike disa vjeçare, që gjithmonë ka ecur në një drejtim. Atë të rëndimit të barrës fiskale.

Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin 2005, qeveria i ka rritur taksat mbi karburantet me mbi 20 lekë për litër.

Kjo është rritje direkte pa përfshirë të ardhurat shtesë që shteti merr nga rritja e çmimit.

Historia nisi me akcizën, e cila në vitin 2005 ka qenë e fiksuar në nivelin 27 lekë për litër.

Që nga ajo kohë qeveria e ka rritur akcizën dy herë duke e çuar atë në 37 lekë për litër, që është dhe niveli aktual.

Ky ishte vetëm hapi i parë që u pasua nga të tjerë, gjithmonë në të njëjtin kah atë të rritjes së barrës.

Pas akcizës, qeveria ndërhyri në taksën e karbonit duke e rritur atë nga 1 në 3 lekë për litër.

Dhe menjëherë pas kësaj, që prej dy ditësh ka hyrë në fuqi një taksë e re shtesë, e ashtuquajtur taksa e qarkullimit, e cila nuk ka ekzistuar, por që këtej e tutje do të jetë 5 lekë për litër.

Në total rritja direkte nga akciza, taksa e karbonit dhe ajo e qarkullimit është 17 lekë për litër.

Mbi këtë barrë llogaritet edhe efekti i tatimit mbi vlerën e shtuar, i cili e shton barrën edhe me 3.4 lekë të tjera, duke e çuar atë në total 20.4 lekë taksa shtesë për çdo litër karburant krahasuar me vitin 2005.

Veç këtyre rritjeve direkte qeveria ka përfituar edhe nga kërcimi i çmimeve të naftës në treg, që i mundëson asaj të mbledh më shumë tatim mbi vlerën e shtuar.

Si rezultat, qeveria i merr qytetarëve si taksa 90 lekë për çdo litër naftë që ata blejnë në treg.

Që do të thotë më shumë se gjysma e çmimit të naftës është takes dhe pjesa tjetër është kosto prodhimi, transporti apo fitim tregtarësh.

Top Channel