Sesioni i ri parlamentar dhe ashtu sic pritej, nisi me praninë e opozitës, por me një klimë të thellë mosbesimi mes palëve, që u shfaq në fjalimet e të gjithë aktorëve kryesorë politikë, duke nisur që në hapje të seancës nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila la të kuptohej se opozita nuk duhet të kushtëzojë me interesa partiakë konsensusin e saj për integrimin. (UPDATE)

“Vota është vendim i ndërgjegjës, votimi është detyrë kushtetuese. Por ndryshe nga reformat për heqjen e vizave, ku mjaftonin vetëm votat e mazhorancës, për këtë të fundit Kushtetuta thotë se duhen edhe votat e opozitës. Fjalët duhet të kthehen në vepra, votimi 12 rekomandimeve është detyrë ndaj vendit dhe kjo nuk pranon as kushte, as pazare”, tha zonja Topalli.

Por për opozitën, e cila theksoi nëpërmjet fjalimit të zotit Ruçi, përkushtimin e saj për integrimin e vendit. Shqipëria nuk mund të bëjë përpara me Sali Berishën kryeministër, tha zoti Ruçi. Zoti Berisha u akuzua si njeriu që frymëzoi dhe realizoi vjedhjen e zgjedhjeve në Tiranë.

“Drejtësia është më e nënshtruar se para këtyre zgjedhjeve, vendi është më larg Europës, të gjithë jemi më mbrapa seç ishim, sepse ju keni arritur pikën e fundit prej të cilës ka vetëm një shpëtim: ik! Opozita ka fituar, Partia Socialiste ka fituar, Edi Rama ka fituar, kemi fituar Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, por mbi të gjitha këto të kemi nxjerrë ty lakuriq para shqiptarëve, ashtu sic je tamam në shpirt, hajdut, i korruptuar në karrigen e pushtetit”, u shpreh kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi.

Në një panoramë të gjatë pesimiste për këto dy vjet qeverisje, zoti Ruçi tha se alternativa e vetme e vendit është opozita.

“Opozita shqiptare është e angazhuar, jo vetëm të tregojë pasqyrën ku shfaqet fytyra juaj e shtrembër me babëzi e korrupsion, por është gati sot e në vazhdim të ndërtojë alternativën për Shqipërinë e shekullit të ri. Këtë do ta bëjmë këtu në parlament e kudo tjetër. Ne jemi gati të qeverisim këtë vend, jemi gati t’u japim shqiptarëve drejtimin që meritojnë, alternativën që meritojnë, zgjidhjen e problemeve të tyre dhe këtë do ta bëjmë ne. Ju nuk keni as diturinë, as vullnetin dhe as legjitimitetin për ta bërë atë”, tha më tej Ruçi.

Fillimisht kryeministri Berisha i bëri vetëm një koment të shkurtër fjalimit të zotit Ruçi.

“Ky ishte vajtimi i një disfate të merituar. Në traditën tonë më të lashtë, të vetmet që nuk komentohen janë vajet dhe vajtimet”, tha Berisha.

Më pas, duke renditur në të kundërtën e atyre që Partia Socialiste i cilësoi si hapa prapa të vendit, kryeministri Berisha, e vuri theksin në sukesin sipas tij të reformave gjatë këtyre dy vjetëve.

Ai ftoi opozitën që menjëherë javën e ardhshme të votojë ligjin për heqjen e imunitetit, jo vetëm si dëshmi për vullnet ndaj luftës kundër korrupsionit, por edhe si një nga 12 rekomandimet e Bashkimit Europian.

Kryeministri ftoi opozitën të japë ekspertizën e saj dhe të bashkëpunojnë edhe në reforma të rëndëishme si ajo në arsim, shëndetësi dhe reformën e pensioneve.

“Urdhëroni të përcaktojmë kriteret, standardet, por jo të anatemojmë. Me anatemë, asgjë nuk zgjidhet. Nihilizmi është doktrinë fanatike tërësisht e pavlerë dhe s’duhet harruar se nihilisti gjithnjë disponon një urrejtje, një përçmim për atë që beson. Reformat janë në të gjitha fushat. Ato ndoshta u pengoi t’i shihni rruga e vetmisë. Tani uroj të dilni prej saj dhe u garantoj për vullnet të hekurt për të bashkëpunuar”, deklaroi zoti Berisha.

Dy palët janë treguar të gatshëm të nisin punën për reformën zgjedhore, një tjetër rekomandim i Bashkimit Europian, por duket se opozita kërkon t’i shkojë me thellë sesa kryeministri, i cili është i gatshëm, që bashkë me Komisionin e Venecias dhe OSBE/ODIHR, të bëjë çdo lëshim vetëm për amendamentet e raportit të OSBE/ODIHR-it.

Berisha: Ju garantoj se mazhoranca është e vendosur të punojë bashkë me ju për të konkretizuar në ligj apo vendime, sipas rastit, secilin prej këtyre rekomandimeve.

Ruçi: Reforma zgjedhore nuk mund të mjaftohet vetëm me disa ndryshime teknike të kodit, por duhet të garantojë vërtet zgjedhje të lira e të ndershme, larg duarve të manipulimeve të pushtetit, duhet t’i rikthejmë legjitimitetin e munguar të plotë KQZ-së, dhe hallkës që do të japë drejtësi mbi KQZ-në. Me KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor të sotëm, të njëjtët që masakruan zgjedhjet vendore me urdhërin tuaj, me ristana, sashenka e toma  nuk mund të ketë më zgjedhje në Shqipëri.

Në këtë klimë, që ende nuk duket e favorshme për një marrëveshje të gjërë politike, kishte një zë që përsëriti kërkesën e ambasadorit amerikan për pakt kombëtar . Dhe ky ishte kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

“Propozoj që kryetarët e grupeve parlamentare, të mazhorancës dhe të opozitës, të mblidhen e të caktojnë kalendarin e veprimeve deri në dhënien e opinionit për Shqipërinë, që të përfshijë pikërisht këtë marrëveshje, këtë pakt, miratimin e të gjitha ligjeve që kanë të bëjnë me 12 pritoritetet, duke vënë në krye nisjen e punës për reformën zgjedhore për të reflektuar edhe rekomandimet më të fundit për zgjedhjet vendore të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 Majit”, deklaroi Meta.

Tani për tani, duket se propozimi i zotit Meta nuk është aq afër për t’u realizuar, por nëse demokratët, që flasin për një kapitull të ri dhe socialistët që flasin për një kurs të ri, do t’u qendrojnë fjalëve të tyre, gjithcka mund të jetë e realizueshme.

Top Channel