Kabllogramet, “drejtësia të hetojë”

05/09/2011 20:45

Nisja e publikimit nga Wikileaks në partneritet me gazetat “The Guardian”, “Der Spiegel”, “New York Times” dhe “Le Monde”, më 28 nëntor 2010 i 250.000 korrespondencave mes ambasadave amerikane në të gjithë botën, me Departamentin amerikan të Shtetit u konsiderua si një “tërmet” në diplomacinë botërore, valët e të cilit së fundmi kanë prekur edhe Shqipërirë.

Që prej një jave sajti i australianit Julian Assange, i shpallur personaliteti botëror për vitin 2010 nga revista “Times”, ka nisur publikimin e një mori kabllogramesh për vendin tonë, duke sjellë edhe reagimet e para fillimisht nga ministri i Transporteve Sokol Olldashi, për të cilin kabllogramet janë “thashetheme ballkanike”, ndërsa kryeministrit Sali Berisha i etiketoi si “paqyrë shtypi”.

Por sa të vërteta janë këto kabllograme dhe cfarë domethënie kanë ato? Tre ish-ministrat e jashtëm Besnik Mustafaj, Paskal Milo dhe Arta Dade për Top Channel fillimisht shprehin opinionin e tyre për këto publikime.

Mustafaj: Kjo është pjesë e publikimeve të raportimeve të gjera të ambasadës amerikane në botë. Nuk shoh ndonjë përjashtim. Mënyra e publikimit dhe burimi i tyre është i paligjshëm, por mendoj se të gjithë, dhe në vecanti klasa poltike, duhet t’i lexojnë me vëmendje. Duhet të nisin hetimet nga institucionet e drejtësisë.

Milo: Për fat të keq kemi përsëri një notë negative për cilësinë e politikës shqiptare. Por më keq akoma, kemi vlerësime, se nuk dua t’i quaj akuza, për një numër personalitetesh të politikës shqiptare. Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë. Janë vlrerësime shumë serioze, nuk janë komente shtypi. Janë gjykime që vijnë nga partneri më i madh strategjik i yni.

Dade: Ka një përputhje me realitetet dhe besoj se nuk ka gjëra të ekzagjeruara. Ata kanë shprehur realitetin shqiptar nga këndvështrimi i tyre. Është një detyrë funksionale e diplomacisë dhe shqiptarët po i mësojnë edhe nga një këndvështrim tjetër.

Përballë të tilla informacioneve, a duhet të reflektojë politika e në vecanti personat të cilëve u përmendet emri në këto kabllograme? Të tre ish ministrat kësaj pyetjeje i japin këto përgjigje.

Mustafaj: Kjo është në ndërgjegjen e secilit. Nuk mund të thuash që politika apo institucionet duhet t’i kenë si Bibël, por morali e do që të reagojnë. Një raportim i tillë që është bërë për mua kohë më parë është jashtëzakonisht korrekt dhe përkon me të vërtetën.

Milo: Nëse do të kishim një minimum kulture demokratike, që në Perëndim është një normë që karakterizon politikën në përgjithësi, shumësyresh të poltikës shqiptare duhet që menjëherë të jepnin dorëheqjen nga postet qeveritare dhe nga jeta politike aktive. Nëse do isha në pozitën e këtyre kolegëve, do ta bëja menjëherë, para se organet e hetimit do merrnin shkas nga këto dokumente të publikuara dhe të bënin hetimin e plotë të të gjitha këtyre vlerësimeve dhe akuzave që bëhen në adresë të individëve të vecantë.

Dade: Hetimi nuk duhet të bëhet vetëm për hir të përmendjes së emrave. Duhet reflektuar për atë që ka ndodhur. Është bërë vetëm një pasqyrim i realitetit, pasi ky realitet ka ekzistuar dhe vijon të ekzistojë.

Por cili është mendimi i ish-shefave të diplomacisë shqiptare përballë një situate kur duket se ambasada amerikane ndryshe i ka raportuar Uashingtonit dhe ndryshe është shprehur publikisht për këto cështje?

Mustafaj: Asnjëherë nuk duhen marrë si një e vërtetë absolute deklarimet e një diplomati, pasi diplomatët kanë limitet e tyre në prononcimin e tyre. Por ata janë të detyruar të informojnë qeverinë e tyre për ngjarje dhe personazhe të caktuara.

Milo: Kushdo që e njeh mekanizmin diplomatik do ta kuptojë këtë lloj dualizmi. Nuk mundet një diplomat, si titullari i misionit të SHBA, të bëjë publike shumë vlerësime që ai i adreson qeverisë së tij.

Dade: Ata për cdo gjë informojnë qeverinë përmes strukturave të tyre, ndajnë shqetësimet me autoritetet më të larta të shtetit, kryesisht me ministrin e Jashtëm. Se si i vlerësojnë autoritetet këto shqetësime, kjo është në integritetin e këtyre autoriteteve.

Top Channel