Arvizu: E rëndësishme nisja e reformave

05/09/2011 20:10

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu, duke komentuar hapjen e sesionit të ri parlamentar, u ka bërë thirrje palëve politike që pavarësisht ndasive të thella të bashkëpunojnë.

Duke folur pas seancës së parë për këtë sesion, Arvizu ka theksuar se është e rëndësishme që reformat të nisin sa më parë.

“Jam i nderuar që mora pjesë në hapjen e Parlamentit. Askush nuk tha se do të ishte e thjeshtë. Por duhet të nisim diku dhe unë gjeta inkurajim nga të dyja palët, pasi patën mundësi që të shprehnin pozicionet që kanë”, ka deklaruar Arivu.

Më tej diplomati amerikan ka prekur një sërë cështjesh, duke filluar nga raporti dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe gatishmëria e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën, deri tek kabllogramet e Wikileaks.

Raporti – “Nuk duhet të pretendohet se nuk ka pasur probleme serioze që kanë dalë nga raporti i OSBE/ODIHR. Ajo që është e rëndësishme është që palët kanë rënë dakord që të punojnë së bashku për disa prej këtyre cështjeve”.

Bashkëpunimi – “Është dicka që ia kam përmendur më parë kryeministrit dhe kjo është që, meqenëse mazhoranca ka më shumë karrike në Parlament, duke parë në mënyrë paradoksale se si ka ndodhur në nivel kombëtar, është e rëndësishme për shumicën që të mund të bëjnë sa më shumë kompromise që të jetë e mundur. Kjo nënkupton që edhe opozita duhet të bëjë punën e saj. Por duke parë situatën aktuale mendoj se është mazhoranca ajo që duhet të japë më shumë për kompromisin”.

Rekomandimet dhe reformat – “Për shembull rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ka një ndarje të madhe mes PD dhe PS. Në të dyja krahët kryeministri dhe lideri i opozitës thanë se do ta mirëprisnin përfshirjen e të tjerëve, si Komisionin e Venecias. Shqipëria është një vend sovran dhe shqiptarët duhet të vendosin vetë se si ta drejtojnë vendin e tyre, por nëse ka organizata që janë të gatshme të ofrojnë ekspertizë, kjo është e rëndësishme. Është e rëndësishme që reformat të nisen dhe të përmbushen, në mënyrë që njerëzit të shohin progres”.

Wikileaks – “Ne nuk komentojmë asgjë mbi mesazhet e saj. Të gjitha këto cështje që kanë dalë ilegalisht janë të debatueshme dhe të dënueshme me ligj në SHBA. Njerëzit duhet të krijojnë mendimet dhe konkluzionet e tyre dhe unë nuk kam asnjë problem me këtë. Por ka dicka që është raportuar gjatë dy ditëve të fundit dhe më ka bërë të mos ndihem mirë. Bëhet fjalë për ca njerëz që flasin për raporte që flasin për spiunime apo performime. Jam i zhgënjyer nga ata që mendojnë se ka njerëz që spiunojnë në ambasadën amerikane. Mendoja se ditët e sigurimit i kishim lënë pas. Por nuk shqetësohem, sepse njerëzit nuk do të vepronin si në kohën e sigurimit. Këta nuk do jenë persona që kanë për ta drejtuar këtë vend. Kam bindjen që cdo shqiptar do që vendi të ecë përpara dhe SHBA do të jenë këtu për t’i mbështetur”.

Top Channel